
Çedomir Jovanoviq sulmohet në aeroportin e Beogradit
Makina e politikanit liberal serb, Cedomir Jovanoviq është sulmuar nga persona të panjohur në parkingun e aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd.
Siç raportojnë mediat serbe, Jovanoviqi e kishte parkuar makinën përpara aeroportit derisa ishte duke e pritur djalin e tij teksa kthehej nga Britania e Madhe, meqë si familje do të festonin një festë që kremtohet të dielën.
Kur ishte kthyer bashkë me të birin, Jovanoviqi kishte gjetur makinën e tij të thyer dhe një grup të rinjsh e kishin fyer. Pas kësaj, politikani serb kishte njoftuar menjëherë policinë.
Siç shkruan “mondo.rs”, ky grup i të rinjve e kishin fyer Jovanovicin me fjalët “e ke shitur Serbinë”, Këta të rinj ishin kujdesur që të mos identifikohen dhe kishin larguar edhe tabelat e makinës së tyre. Një hetim ka filluar dhe të gjitha kamerat po analizohen.