
Çeku: ‘DokuFest-‘i për dy dekada ka shërbyer si stimulues ekonomik në vendin tonë
Pas mbylljes së edicionit të sivjetmë të DokuFest, Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka ndarë një mesazh mirënjohjeje dhe vlerësimi për rolin e këtij festivali në kulturën dhe ekonominë e Kosovës.
Në postimin e tij, Çeku theksoi energjinë dhe atmosferën unike që sjell ky festival, duke e përshkruar si një urë që lidh qytetin e Prizrenit me mbarë botën.
“Për nëntë ditë, DokuFesti i ktheu kinematë e Prizrenit në ura që lidhën botën me qytetin tonë. Mbi 100 filma, mijëra njerëz, energji e magji që vetëm ky festival di ta sjellë”.
Ministri kujtoi se DokuFest, gjatë dy dekadave të ekzistencës së tij, ka qenë jo vetëm një ngjarje e rëndësishme kulturore, por edhe një faktor i madh ekonomik për vendin.
Ai vuri në dukje se gjatë mandatit qeverisës, festivali dhe organizatat e tjera të skenës së pavarur kulturore kanë përfituar mbështetje institucionale më të madhe se kurrë më parë.
“Krahas programit të pasur kulturor, DokuFest për dy dekada ka shërbyer si një stimulues i rëndësishëm ekonomik në vendin tonë. Gjatë mandatit qeverisës, ky festival dhe organizatat e skenës së pavarur kulturore kanë gëzuar mbështetje institucionale më të madhe se kurrë më parë”, theksoi tutje.
Në fund të reagimit të tij, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që punojnë për zhvillimin e kulturës në vend.

“Mirënjohje për çdo individ e organizatë që punon me pasion për kulturën, politikat tona do të vazhdojnë të ndjekin frymën tuaj”.
DokuFest, i njohur ndërkombëtarisht për përzgjedhjen cilësore të filmave dokumentarë dhe të shkurtër, këtë vit solli mbi 100 filma nga mbarë bota, duke e shndërruar Prizrenin në një skenë të gjallë kulturore ku u takuan artistë, krijues, dashamirë të filmit dhe vizitorë nga shumë vende.