Çeku, VV: Projektet e Ramës duken mirë në letër, por mungon zbatimi
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, në Debat Plus ka vlerësuar programin e kundërkandidatit të tij nga LDK, Perparim Rama.
“Vështirë të gjej ndonjë pikë që më pëlqen, e megjithatë është munduar maksimalisht që të tregojë një angazhim në kërkim të mandatit të dytë, ndonëse kishte shumë pak dëshmi të punës së kryer. Një pjesë e punës që është bërë deri tash dhe që vazhdon të jetë pjesë e programit janë vizatimet, renderat, projektet me letër, ato janë të mira, por një kryetar komune duhet që projektet nga letra t’i vë në zbatim dhe t’i realizojë”, ka thënë Çeku nga “dhoma e kryetarit”.
Ai ka shtuar se gjatë debatit kishte përshtypjen se jetonte në një realitet të ndryshëm me zotin Rama, duke theksuar se për qindra e mijëra projekte që Rama pretendonte se i kishte realizuar, mungojnë të dhëna konkrete për zbatimin e tyre.
“Mbase ajo që do t’i kisha thënë është se po na mungojnë disa syze virtuale për t’i parë ato projekte,” ka shtuar Çeku.
Çeku, ka theksuar rëndësinë e një qasjeje serioze në menaxhimin e kryeqytetit, duke u fokusuar në nevojat bazike të qytetarëve dhe përditshmërinë e tyre.
Gjatë fjalës së tij në Debat Plus, Çeku tha se ndër prioritetet tij kryesore duhet të jetë funksionaliteti i qytetit.
“Besoj që Prishtina ka nevojë për një qasje serioze,e cila i trajton fillimisht elementet e domosdoshme, ato bazike, të përditshmërisë sonë. Që duhet ta bëjnë qytetin funksional. Përditshmëria e jonë lidhet me mobilitetin, trafikun, mirëmbajtjen qytetit, me nevojën që ndërmarrjet komunale të jenë sa më efikase për mirëmbajtje…”, ka thënë Çeku.



