
Celtics dhe Warriors pranë eliminimit shokues nga ‘play-off’-i
Boston Celtics dhe Golden State Warriors janë në rrezik serioz për t’u eliminuar herët nga “play-off”-i i NBA-së, pas humbjeve të fundit që i kanë lënë një hap larg dështimit.
New York Knicks po shkëlqejnë në fazën e eliminimit direkt dhe tani udhëheqin serinë kundër kampionëve në fuqi, Boston Celtics, me rezultat 3:1.
Në ndeshjen e katërt, të zhvilluar në Madison Square Garden, Knicks fituan 121:113, duke pasur tani tri mundësi për t’u kualifikuar në finalet e Konferencës së Lindjes. Jalen Brunson ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 39 pikë, 12 asistime dhe 5 kërcime, ndërsa Mikal Bridges dhe Karl-Anthony Towns kontribuan me nga 23 pikë secili.
Edhe pse Jayson Tatum shënoi 42 pikë për Bostonin, ato nuk mjaftuan për fitoren.
Për më tepër, Tatum pësoi një dëmtim tre minuta para fundit dhe u largua nga fusha me karrocë me rrota. Mbetet e paqartë nëse ai do të rikuperohet për ndeshjen e radhës.
Në anën tjetër, edhe Golden State Warriors janë afër eliminimit pas një tjetër humbjeje ndaj Minnesota Timberwolves, me rezultatin 117:110. Timberwolves dominuan çerekun e tretë me një seri 39:17, çka i dha atyre kontrollin e plotë të ndeshjes. Julius Randle me 31 pikë dhe Anthony Edwards me 30 ishin vendimtarë, ndërsa Warriors ndjejnë mungesën e Steph Curry, i cili është i dëmtuar.
Rezultatet
New York – Boston 121:113 (3:1)
Golden State – Minnesota 110:117 (1:3)