Ceremoni madhështore në Ankara, Papa Leone XIV pritet nga presidenti Erdogan

27 nëntor 2025 | 20:12

Papa Leone XIV u prit këtë të enjte me nderime ushtarake dhe ceremoni zyrtare nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në Kompleksin Presidencial në Ankara. Ceremonia përfshiu luajtjen e himneve kombëtare të dy vendeve dhe shtëna topash, ndërsa dy udhëheqësit u drejtuan për në zonën e ceremonisë, duke përshëndetur njëri-tjetrin me respekt.

Pas përshëndetjeve, u zhvillua një prezantim i delegacioneve, ku Erdogan dhe Papa Leone XIV paraqitën anëtarët e ekipeve të tyre përkatëse. Ceremonia vijoi me tërheqjen e dy delegacioneve për bisedime private në kuadër të vizitës zyrtare të Atit të Shenjtë në Turqi.

Në takim morën pjesë figura të larta të qeverisë turke, përfshirë Zëvendëspresidentin Cevdet Yılmaz, ministrin e Jashtëm Hakan Fidan, ministrin e Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, si dhe drejtues të tjerë të administratës turke, përfshirë guvernatorin e Ankarasë, Vasip Şahin, dhe këshilltarë të lartë të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Të premten, Papa Leone XIV do të vizitojë qytetin e lashtë të Nikeas (Iznik), për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të famshëm të Nikeas, i cili përcaktoi shumë nga parimet themelore të besimit të krishterë. Kredoja e Nikeas, e hartuar në këtë koncil, mbetet ende themel i doktrinës për shumicën e katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve në ditët e sotme.

VIDEO

https://x.com/i/broadcasts/1PlJQOQmBVZKE

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramush Haradinaj ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së…