
Ceremonia për stadiumin në Gjilan pa sportistë dhe as pa kreun e FFK-së
Pamjet që vijnë nga “gurthemeli” i stadiumit të Gjilanit nuk janë skenë nga një projekt sportiv. Janë skenë fushate politike. Asnjë futbollist. Asnjë legjendë e sportit. Asnjë përfaqësues i tifozerive, që e kanë mbajtur këtë qytet gjallë me atmosferën e derbit Drita – Gjilani. Asnjë fëmijë, që do të duhej të ishte fytyra e së ardhmes së sportit.
Por ja ku janë të gjithë aktorët politikë të partisë në pushtet – nga Albin Kurti e deri te kryetari lokal Alban Hyseni, me ministër, zëvendësministre e fotograf zyrtar pas shpine.
Nëse dikush ende ka iluzione se kjo është ceremoni për një stadium futbolli, mjafton një vështrim në këtë fotografi: një tavolinë, disa fletë projekti, dhe një rreth njerëzish të zgjedhur jo për meritat sportive, por për lidhjet partiake. Kjo nuk është gurthemeli i stadiumit – është kulmi i shndërrimit të sportit në vegël propagandistike, shkruan Presheva Jonë.
Edhe më skandaloze bëhet situata kur e sheh se mungon krejtësisht përfaqësuesi më i lartë i futbollit në vend – presidenti i FFK-së. Ky është stadium futbolli, nën juridiksionin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Dhe në vend që të ishte pjesë thelbësore e procesit, FFK-ja as që ftohet. Në vend të profesionistëve të futbollit, vendin e zënë figurat politike që për katër vite vetëm e kanë shtyrë e ricikluar këtë projekt.
E si për të mos mjaftuar kjo, mungesa më e dhimbshme është ajo e vetë historisë së futbollit të këtij qyteti. Legjenda si:
-
Erkrem Beqiri
-
Muharrem Sahiti
-
Naser Bunjaku
-
Nehat Osmani
-
Rabit Matoshi
-
Shefket Sermaxhaj
-
Skender Hoxha
-
Sabri Dermaku
-
Veton Xhemajli
-
Muhamer Abdullahu
…e shumë të tjerë, nuk ishin as të ftuar. Si mund të hidhesh një gurthemel stadiumi, pa ata që ndërtuan themelet e lavdisë sportive të Gjilanit?
Albin Kurti, pas shumë premtimeve, vendosi të kujtohet për stadiumin e Gjilanit pikërisht tani – kur qyteti po shkon drejt zgjedhjeve lokale në vjeshtë. Rastësi? Sigurisht që jo. Ky nuk është fillimi i punimeve – ky është fillimi i një tjetër premtimi të shndërruar në show politik.
Ndërtimi i një stadiumi duhet të jetë një ngjarje për komunitetin sportiv, për qytetin, për ata që e kanë mbajtur këtë pasion të gjallë ndër vite. Ajo që pamë sot ishte një aktivitet i mbyllur, i ndarë nga njerëzit e futbollit, nga historia e këtij qyteti sportdashës, nga vetë arsyeja pse ekziston ideja e ndërtimit të një stadiumi.
E nëse dikush mendon se me këtë ceremoni është “shlyer” borxhi i 4 viteve stanjacion dhe zvarritje, ka gabuar. Qytetarët nuk harrojnë. As sportdashësit, as tifozeritë e flakta, as fëmijët që ëndërrojnë të luajnë aty ku sot mungonin me përbuzje.
Përfundimisht, nëse ky është vizioni i qeverisë për sportin – atëherë sporti në Kosovë ka nevojë për mbrojtje, jo për “mbështetje” politike.
Editorial sportiv / Presheva Jonë