Certifikohet Lions Club Prishtina, që do të jetë në shërbim të qytetarëve në nevojë

26 janar 2020 | 18:37

Zyrtarisht sot në Prishtinë është bërë certifikimi i Lions Club Prishtina, ku 25 vullnetarë janë bërë bashkë në këtë klub, që ka për qëllim të shërbejë duke ndihmuar njerëzit në nevojë.

Vullnetarët, që tashmë përbëjnë Lions Club Prishtina, synojnë të ndërtojnë marrëdhënie në përmirësim të botës përmes mirësisë.

Në ceremoninë e certifikimit, Naser Grajçevci, iniciator i themelimit të Lion Klub Prishtina, tha se klubi në Hokenhajm të Gjermanisë i ka meritat më të mëdha për themelimin e klubit në Prishtinë.

“Klubi i Hokenjahm mban meritat më të mëdha për ku jemi sot. Ata na dhanë edhe udhëzime dhe dëshira e tyre ishte që edhe Prishtina të ketë një klub Lion. Dhe për këto një vit e gjysmë, të mbështetur më pas edhe nga Klubi i Pejës, ne ndërtuam ekipin tonë. Njerëzit në fillim nuk e kuptuan krejt misionin e këtij klubi, por gradualisht duke parë dhe duke diskutuar me njerëz, ne arritëm që të anëtarësojmë 25 anëtarë në Lions Club Prishtina”, tha ai.

Ai porositi anëtarët e klubit që të ruajnë vlerat dhe virtytet që mban Luani.

Ndërsa Elizabata Haderer, koordinatore e distriktit, tha se të qenit pjesë e Lions Club, është nderë për çdo njeri.

“Ne, Lions Club Internation, jemi të nderuar që keni pranuar të merrni pjesë në këtë klub. Të jeni anëtarë të këtij grupi, është një privilegj. Ju po pranoni të jeni pjesë e klubit më të madh të botës, më aktiv më botë. Ju do të mund të ndihmoni të gjithë njerëzit në nevojë që gjenden në Kosovë dhe në botë. Më kujtohet që ishim duke biseduar me Bekim Shoshin dhe Nexhmedin Beqirajn në Tiranë dhe kemi folur për të gjitha mundësitë që janë në Kosovë, në atë kohë vetëm një klub ka qenë në Kosovë dhe ai ka qenë në Pejë”, tha ajo.

Ajo shtoi se tani Lions Club ka në Pejë, Istog dhe tashmë edhe në Prishtinë, dhe u shpreh optimiste që do të ketë edhe në vende të tjera.

Heinz Kuppinger, përfaqësues i Lions Club në Hokenhajm, tha se ka qenë nderë i madh për të që të ndihmojë në hapjen e klubit në Prishtinë.

“Sot është ditë e mirë për ju, pas një periudhe të gjatë që jemi munduar të organizojmë këtë, sot festojmë hapjen zyrtare të klubit tonë në Prishtinë, me 25 anëtarë. I falënderojmë të gjithë në emër të Lions Club Hokenhajm, ka qenë një gjë shumë e mirë dhe një nder i madh për ne që të u ndihmojmë në hapjen e këtij klubi. Ju falënderojmë të gjithë që jeni këtu. Falënderojmë Elizabete Haderer, ajo e ka vizituar Kosovën shumë herë, e falënderojmë edhe Naser Grajcevcin, që ka qenë një prej iniciatorëve për të themeluar një klub në Prishtinë. Në maj 2018 një grup i Lions ka ardhur me familjen Berisha në Kosovë dhe në këtë mënyrë ka filluar hapja e Lions në Kosovë”, tha ai.

Ai u tha anëtarëve se me fondet e mbledhura në klub, ata do të ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë, fëmijët dhe adoleshentet me projekte sociale. E sipas tij, kjo është arsyeja pse ndjehet i gëzuar për themelimin e klubit në Prishtinë.

Ndërsa Bekim Shoshi, nga Lions Club Peja, tha se klubi në Pejë u themelia me ndihmën e vullnetarëve me një qëllim të përbashkët, të shërbejnë në komunitet.

“Puna vullnetare natyrisht që nuk është e lehtë, sidomos për njerëz që kanë obligime të shumta, qoftë në familje, qoftë në punë, është sfiduese të gjesh kohë për aktivitete shtesë. Sidoqoftë, ajo që na shtynë para është rezultati i punës sonë. Natyrisht edhe ne shpesh hasim në probleme e pengesa, por e gjithë lodhja dhe problemet veniten kur sheh disa fytyra të buzëqeshura”, tha ai.

Sot 25 anëtarë dhanë betimin duke pranuar certifikatën Lions duke u bërë kështu anëtarë të Lions Club Prishtina, raporton KosovaPress.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa Kina po rrit përpjekjet për të trajtuar coronavirusin e…