
Çështja e asociacionit, Hyseni thotë se Kurti po luan lojë të rrezikshme me fjalë
Ish-koordinatori për dialog në Qeverinë Hoti, Skender Hyseni, ka reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se “në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik”.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kurti po “luan” lojë të rrezikshme.
“Një tjetër ‘lojë me fjalë’ e Albin Kurtit. Siç raportohet në medie, kryeministri i Kosovës paska deklaruar sot: ‘Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik, të mos krijojmë krahina që ndajnë qytetarët’. Është vetëm lojë fjalësh apo diçka më shumë. Kjo mbetet të shihet! Sepse, ai e di që as asociacioni i ratifikuar në kuvendin e Kosovës nuk do te ishte një-etnik, por multietnik, me shumicë serbe. Shtohet pyetja, mos ndoshta Albin Kurti synon të krijojë, në Kosovë, komuna të reja, me shumicë boshnjake, turke, rome, ashkalinje apo egjiptiane???!!!…. dhe ato t’ia bashkëngjit asociacionit të komunave me shumicë serbe, që këtë asociacion ta bëj pak ma multietnik, e që do të përbënte ndarje klasike të Kosovës përgjatë linjave etnike!!! Lojë e rrezikshme, madje edhe nëse mbetet vetëm me fjalë. Serbia në dialog me Kosovën, historikisht (Rambuje, Vjenë), madje edhe në Bruksel ka pretenduar se është ‘mbrojtëse’ e të gjitha grupeve etnike jo-shqiptare në Kosovë”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.
Hyseni ka thënë se sipas kësaj “filozofie” të Kurtit, Kosova është njëetnike sepse është 90 për qind shqiptare!
Më tutje, Hyseni shpreson që Kurti të ketë pasur guximin që në takim t’i ketë thënë Mirosalv Lajçakut dhe Matthew Palmerit se asnjë asociacion me kompetenca ekzekutive nuk mund të pranohet.
“Jo, Kosova është shtet multietnik dhe multikonfesional. Ndonëse, vështirë e besueshme, shpresoj që Kurti të ketë pasur guximin që Lajçakut dhe Palmerit, në takim, e pakta tu ketë thënë që asnjë asociacion me kompetenca ekzekutive e legjislative nuk mund të pranohet, sepse do të krijonte një rrafsh të ndërmjetëm të pushtetit në Kosovë. Këtë të paktën, në vend të lojës së rrezikshme me fjalë!”, ka shkruar Hyseni.