Çështja e presidentit, Haradinaj publikon letrat që ua dërgoi Hamzës e Abdixhikut
Kanë mbetur edhe më pak se 48 orë prej kur Kosova mund të zgjedhë presidentin, në të kundërten, vendi shkon në zgjedhje të reja. Deri më tani, nuk ka emra e as marrëveshje mes partive politike.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë publike letrat që ua dërgoi më 21 janar të këtij viti Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut.
Në këto letra që i ka bërë publike në T7, ai iu kërkonte koordinim për çështjen e presidentit.
“I kam shkru letër kolegëve opozitarë dhe ia kam shpjegu arsyet pse ne është dashtë me u marrë vesh mes vete, e pastaj me u ulë me pushtetin – me Kurtin…”, tha Haradinaj.
“Në letra nuk ka kandidaturë, sepse është spekulu”, shtoi ai.
Ndërkohë, Nacionale të martën raportoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani nuk është më opsion.
Albin Kurti i Vetëvendosjes, me 66 vota, po planifikon që ta propozojë Glauk Konjufcën për president.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar dy raunde të bisedimeve për këtë çështje me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhku.
Me këtë të fundit sot ka zhvilluar edhe një takim të tretë të papritur.
As dy takimet e para dhe as ky sot nuk kanë sjell ndonjë rezultat për të gjetur një kandidat konsesual.
Pas takimit me Abdixhikun, Kurti nuk ka dhënë shumë detaje për gazetarët.
“Ende nuk kemi zgjidhje. Nëse bëhet, do të iu njoftojmë”, ka thënë shkurt Kurti.
I vetmi kandidat konsensual që është përmendur nga VV-ja ka qenë Murat Jashari, i cili e ka refuzuar ofertën.
Dita e enjte, 5 marsi, është data e fundit kur Kosova mund ta zgjedhë presidentin.
Në të kundërtën, atëherë afati shkelet, dhe çdo zgjedhje e një presidenti pas kësaj date, do të ishte shkelje e Kushtetutës, e si rezultat, zgjedhje të reja.





