Çështja e presidentit: LV-ja bën thirrje për bashkëpunim, PDK-ja dhe AAK-ja akuzojnë pushtetin për zvarritje të procesit

02 prill 2026 | 14:02

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por ajo është akuzuar nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë se po e zvarrit procesin “qëllimshëm”, pavarësisht se po rrjedh një afat kushtetues për këtë. Duke folur në seancën parlamentare të enjten, kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i LV-së, bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se vendi nuk ka luks për vonesa e bllokada. “Tani na duhet të punojmë sa më shumë që të mundemi së bashku, e jo të kemi bllokada të reja. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës”, ka thënë  Kurti.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe LV-në për agjendë të fshehur për bllokimin e zgjedhjes së presidentit të ri. Në një bisedë për “RTV21”, deputeti Gruda ka thënë se presidenti i ri do të duhej të zgjidhet përpara përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani. “Më 4 prill përfundon mandati i presidentes aktuale dhe vendi kalon në ushtrues detyre të presidentit. Mendoj se vendi është dashur që të ketë president para se t’i përfundoj mandati siç e kërkon kushtetuta që të mos shkohet me ushtrues detyre të presidentit sepse u.d i presidentit është gjendje jo normale. Kjo vonesë që po ndodh, pra u konsumua një javë dhe nuk ka asnjë hap për zgjedhjen e presidentit është e papranueshme dhe tregon që ka një agjendë që të mos arrihet deri tek zgjedhja e presidentit, por të mbahet vendi i bllokuar’’, ka thënë Gruda.

Deputeti Gruda ka thënë se Kurti ka synim që ta zvarris zgjedhjen e presidentit për ta vendosur kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës së presidentes. “Synimi është ky që, në fundjavë Albulena Haxhiu sipas kushtetutës bëhet ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj këtyre nuk iu ngutet. Por, vendi nuk duhet të jetë me u.d të presidentit, ose duhet ta zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje. Tash fakti që e mbajnë me u.d të president tregon se krejt qëllimi ky ka qenë në fakt. Edhe kërkesa e afatit shtesë nga Gjykata Kushtetuese ka qenë qëllimi që ta marrin në kontroll atë institucion efektivisht që ta bëjnë Albulena Haxhiun u.d të presidentit për ta vazhduar lojën tjetër politike. Shpresoj që të kthehen tek diskutimet dhe debate normal’’, ka thënë Gruda.

Deputeti Gruda ka thënë se nuk kanë pranuar ende ftesë nga Kurti për takim. Por, sipas tij pa marrëveshje politike PDK nuk ka votë për kandidatët e LV-së për president. “S’kemi marrë ftesë deri sot, kur të marrim ftesën do të marrim një qëndrim të organeve të partisë. Pa marrëveshje normalisht nuk do të ketë votë dhe nuk mendoj se ka përpjekje serioze për ta zgjedhur presidentin, nuk shoh. Nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë drejtë zgjedhjeve kjo është automatikisht. Nuk është më në dorën dhe vullnetin tonë. Nëse nuk ka zgjidhje prej partisë që ka shumicën e votave. Pa Vetëvendosjes nuk zgjidhet presidenti, pa njërin prej neve të opozitës mundet. Ne kemi pasur një propozim që të na leu neve me propozuar kandidatin, nuk është pranuar”, ka thënë Gruda.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar partinë e Kurtit se po e zvarrit procesin e zgjedhjes së presidentit të ri për interesat e veta. “LV-ja e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, megjithëse afati kushtetues po rrjedh, partitë parlamentare nuk kanë bërë ndonjë hap deri tani drejt arritjes së pajtueshmërisë për presidentin e ri.

Haradinaj ka thënë se partia e tij, e cila ka 6 vende në Kuvend, nuk ka vendosur si të veprojë, në pritje të një lëvizjeje nga Kurti.

“AAK-ja i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë”, ka thënë Haradinaj.

Kurti u ka thënë ligjvënësve të enjten se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare të serishme “si ikje nga përgjegjësia që na takon”.

Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive. Dy kandidatë të paraqitur nga partia në pushtet, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit gjatë një seance më 5 mars.

Për partitë opozitare, dy emrat e paraqitur nga partia në pushtet ishin të papranueshëm dhe ato këmbëngulën në marrëveshje politike ose të paraqitej një emër i pranueshëm për të gjithë.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk ka gëzuar mbështetjen e partive.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla nuk i ka duruar akuzat e kreut…