Çështja e shpërndarjes së Kuvendit, Kusari-Lila mohon se ka pasur diskutime mes PDK-së e LV-së

01 maj 2024 | 12:00

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka deklaruar se kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi ka pasur biseda me Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektet e tjera, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Por, Çitaku u shpreh se “fatkeqësisht edhe në këtë pikë, sikurse edhe në shumë çështje të tjera, Lëvizja Vetëvendosje diçka tjetër thotë publikisht, e diçka tjetër mendon dhe beson”.

Se ka pasur diskutime të tilla me deputetët e LV-së, e ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk e di se më kënd ka pasur kontakt nga LV-ja, por në Kuvend nuk ka pasur diskutime të tilla.

“Nuk e di me kënd ka pasur kontakt nga LV, Memli Krasniqi, por mund të them që në cilësinë e kryetares së grupit parlamentar, në Kuvend nuk ka pasur asnjë bisedë me të për shpërndarje të Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndryshe, zgjedhje të parakohshme parlamentare janë duke kërkuar pozita dhe opozita, ndërkohë qeveria Kurti tashmë ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes.

Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës javë më parë ka propozuar 9 qershorin, si datë për zgjedhje të parakohshme në vend.

Madje nga kjo parti deklaruan se qeverinë e re do ta formoj kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza dhe se për këtë gjë nuk kanë asnjë pikë dyshimi.

“Zgjedhjet janë nevojë për nxjerrjen e vendit nga sanksionet dhe kriza. Ne nuk kemi as edhe një dyshim që mandatari që do ta formoj qeverinë e re të Kosovës do të jetë Bedri Hamza nga PDK. Ne konsiderojmë që vendimi jonë që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor është vendim i duhur”, kishte deklaruar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë vit, Greqia po e dyfishon numrin e zjarrfikësve në…