Çështja është: A do të jetë Trump pjesë e takimit më 4 shtator?
4 shtatori do të jetë data kur delegacioni i lartë i Kosovës dhe ai i Serbisë do të përballen edhe një herë në kuadër të dialogut, tani në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
E premtja e javës së ardhshme mund të shndërrohet në ditë të shënuar në kalendarin historik. Kosova dhe Serbia do të përballen edhe një herë mes vete në rrafshin politik, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim raportesh.
Takimi i paraparë të mbahej të premten e 4 shtatorit, fillimisht planifikohej të zhvillohej dy ditë më herët, më 2 shtator. Shtyrja e takimit erdhi për shkak të, siç u tha, ndryshimit të agjendave të mikpritësve në Shtëpinë e Bardhë, Richard Grenell e Robert O’Brien.
Sidoqoftë, arsye shumë e mundshme e shtyrjes së takimit për dy ditë u përmend edhe pjesëmarrja e vet presidentit amerikan Donald Trump në përballjen në mes të kryeministrit Hoti bashkë me ekipin e tij, dhe delegacionit serb të kryesuar nga Aleksander Vuçiq.
Por, siç duket, gjasat janë shumë të vogla që Trump të jetë i pranishëm në takimin e 4 shtatorit. Një burim brenda Këshillit Kombëtar të Sigurisë Amerikane i ka thënë lajmi.net se aktualisht nuk ka ndonjë takim të paracaktuar me Trumpin për pjesëmarrjen e tij më 4 shtator. “Nuk kemi takim me presidentin për lajmërimin e pjesëmarrjes së tij në vizitë”, ka thënë ky burim për lajmi.net, duke aluduar në vizitën që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kryejnë në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të takimit për dialogun mes këtyre dy shteteve.
Se Trumpi mund të jetë pjesë e takimit në Uashington, e ka thënë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, para disa ditësh.
Sidoqoftë, atmosfera në taborin e palës së Kosovës është parë të jetë shumë e tensionuar para mbajtjes së këtij takimi me rëndësi jetike.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht po e kritikon me të madhe qasjen e administratës Trump dhe emisarit të tij, Richard Grenell, në procesin e negociatave. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, shkoi edhe në nivele të tjera, duke e quajtur Grenellin “kauboj” të financave që nuk do t’ia dijë për vuajtjen e Kosovës.
Përçarje e tensione ka pasur edhe vetë brenda koalicionit qeverisës, teksa AAK-ja është ankuar se po lihet anash në proces dhe se përfaqësuesit e saj nuk po përfillen në tavolinën e dialogut. Partia e Haradinajt, gjithashtu, ka hedhur akuza mjaft të ashpra në drejtim të kryeministrit Hoti për, siç e quajti, mungesën e transparencës në proces.



