Çështjet metafizike në librin “Enciklopedia e të vdekurve” të Danillo Kishit

16 janar 2024 | 08:51

Fatlum Meholli

Danillo Kish, intelektuali jugosllav

Danillo Kish, lindur më 1935 në Suboticë të Vojvodinës, kon­siderohet një ndër shkrimtarët më të famshëm jugosllav. Babai i tij ishte çifut hungarez, e ëma një malazeze me përkatësi ortodokse. Pa dyshim që nga prindërit trashëgoi një përzierje identitetesh dhe besimesh, prandaj shpesh e quante veten “çudi etnografike” jo vetëm për prejardhjet e prindërve, por edhe për bredhjet e mëvonshme nëpër shtete të ndryshme evropiane.

Lufta e Dytë Botërore solli çaste tejet të vështira në jetën e Kishit. Ai humbi të atin, po ashtu familjarë të tjerë të cilët vdi­qën nëpër kampe përqendrimi. Sipas të dhënave biografike, Danillo Kish qysh fëmijë përjetoi ngjarje të rënda – ishte vetëm gjashtë vjeç kur ushtria hungareze si aleate e nazistëve në një kohë të acartë dimri mori qindra hebrenj, i detyroi të zhvishen dhe në fund i qëlloi për vdekje. Në mesin e të shpëtuarve ishte Danillo Kishi dhe familja e tij, mirëpo këto pamje makabre kanonizohen në kujtesën e të riut. Disa vjet më vonë nazistët kapin babanë dhe disa familjarë të tjerë të Kishit dhe i çojnë në Aushvic, aty ku nuk arrijnë të mbijetojnë.

Mund të themi që këto informacione biografike janë shumë të nevojshme, sepse nga gjithçka që lidhej me luftën, veçanë­risht vdekja e babait, cilësohen biografemat kryesore që shtyjnë Danillo Kishin për të hyrë në botën e letërsisë.

Pas vdekjes së babait dhe torturave të përjetuara nga Lufta e Dytë Botërore, Kish në fillimet e viteve ’50 fillon studimet për letërsi në Universitetin e Beogradit. Ai diplomon më 1958 në Drejtimin e Letërsisë së Krahasuar. Studimet ndikojnë ndje­shëm në zgjerimin e dijes dhe përgatitjes intelektuale – njohja me shkrimtarë të huaj, të cilët edhe i përkthente, krahasimi mes tyre dhe analizimi i veprave kanë bërë që Kish të ketë një qasje të veçantë në krijimtarinë e tij letrare. Sikundër e thotë edhe vetë, admironte jashtëzakonisht shumë shkrimet e Bruno Shul­zit, Vladimir Nabokovit, Jorge Louis Borgesit, Miroslav Kërle­zhës e kështu me radhë.

Për një kohë të caktuar punoi nëpër revista letrare jugosllave, deri në vitet ’80 kur shpërngulet në Paris; aty punon profesor i letërsisë dhe përkthen poetë të shumtë rusë, francezë e hunga­rezë.

Përveç këtyre aktiviteteve, Danillo Kish arrin të krijojë vepra artistike individuale, me ç’rast afirmohet si shkrimtar i veçantë duke fituar çmime të shumta letrare, ndër të cilat edhe çmimin prestigjioz “NIN” më 1973.

Krijimtaria letrare e këtij autori përqendrohet më së shumti në fushën e tregimtarisë, por Kish njihet edhe për ese dhe inter­vista ta ndryshme që botonte nëpër revista letrare.

Romanet më të njohura të Kishit konsiderohen “Mansarda”, “Psalmi 44” botuar më 1962; pastaj “Bahçja, hiri” (1965); “Klepsidra” (1972); “Varreza për Boris Davidoviçin” (1976)… Ndërkaq, krijimtaria e bujshme e këtij autori përmbyllet me librin “Enciklopedia e të vdekurve” botuar më 1983.

Gjashtë vjet pas botimit të “Enciklopedisë…”, Danillo Kish, i vendosur në Paris që një kohë të gjatë, diagnostikohet me kan­cer në mushkëri dhe vdes në moshën 54-vjeçare, gjegjësisht në vitin 1989. Megjithëkëtë moshë relativisht të re, Kish ka arritur të prodhojë vepra artistike të veçanta që ngritin emrin e tij në piedestalin e letërsisë jugosllave apo letërsisë së Evropës Juglin­dore në përgjithësi.

“Enciklopedia e të vdekurve” është një ndër librat me anë të të cilit identifikohet stili rrëfimtar i Danillo Kishit. Libri është një përmbledhje e nëntë tregimeve dhe novelave, ndërkaq emër­timi i librit vjen sikundër titullohet një prej tregimeve.

Më herët theksuam që lajtmotivi i këtyre teksteve vjen nga pasojat që kishte lënë Lufta e Dytë Botërore, andaj edhe temati­kat gjithnjë lidhen me sëmundjen, dhimbjen, vdekjen, idealet e humbura e kështu me radhë. Natyrisht që këto çështje metafi­zike janë të trajtuara vazhdimisht në kuadër të letërsisë, edhe në periudhat më të hershme, megjithatë Danillo Kish këto tema i trajton me anë të një stili të veçantë, përkatësisht duke iu për­gjigjur metodave të Romanit të Ri (nouveae roman).

Në kërkim të njohjes

 Libri “Enciklopedia e të vdekurve” fillon me tregimin e titu­lluar sipas personazhit kryesor Simon Magut. Është e veçantë mënyra e rrëfimit te ky tregim, sidomos zhvendosja kohore dhe hapësinore. Tregimi ka të bëjë me periudhën pas vdekjes së Krishtit dhe ringjalljes së tij, gjegjësisht shtatëmbëdhjetë vjet më vonë. Por, fokusi narrativ më së shumti bie te Simon Magu, atë që kundërshtarët e quanin borboriti.

Ky tregim, dhe jo vetëm, duhet të shihet në raport me rretha­nat historike të kohës. Intertekstualiteti apo rimarrja e këtyre figurave biblike dhe mitike dhe inkorporimi brenda tekstit let­rar më së shumti bëhet me qëllim që përqendrimi të bie te vep­rimet dhe ngjarja në tërësi duke ngritur paralele me aktualite­tin. Simoni mohon të jetë apostull, megjithatë ai ka ithtarë të shumtë që admirojnë botëkuptimet e tij. Shquhet për oratorinë, sidomos kur u drejtohej nxënësve të vet. Ndërkaq si dukje fizike, Simon Magu:

Kishte shtat mesatar, por ishte energjik; flokët e zinj e të derdhur kishin filluar t’i rralloheshin në sheshin e kokës; mjekra e tij po ashtu e derdhur dhe e lënë pas dore, tashmë kishte marrë ngjyrë hiri. Hunda kockore dhe e kthyer ia bënte profilin më të theksuar. Një sy që e kishte më të madh se tjetrin, i jepte fytyrës së tij një pamje sarkastike. Në veshin e majtë kishte vënë një vëth të artë: një gjarpër që kafshon bishtin e vet.[1]

Edhe mënyra e përshkrimit në kuadër të tregimtarisë së Danillo Kishit ka funksione të veçanta dhe duhet lexuar me kujdes. Shembull: detaji i vëthit, mund të merret si një lloj metafore për të ardhmen tragjike që e pret këtë personazh, ose të gjithë ata që veprojnë sikur ai.

Simon Magu është jobesimtar i cili, po ashtu, ka për synim që t’i shpërndajë botëkuptimet e veta mbi Zotin, të cilin e konsi­deron si një tiran që racën njerëzore e kap për fyti duke i dër­guar epidemi, stuhi, murtajë, thatësira, përmbytje, makthe, pagju­mësi, pafuqi, pleqëri e kështu me radhë.

Kritikat e ashpra të Magut vazhdojnë edhe më tej në sytë e një numri të madh njerëzish të cilëve u drejtohet me pyetje të shumta retorike në kundërshti me Zotin apo Jehovain:

O popull i Samarisë, a nuk i ka prishur tani së fundi shtëpitë tuaja ky inatçi? A nuk ka dërguar ai thatësirën dhe karkalecat nëpër fusha? A nuk ka futur me dhjetëra të leberosur në fshatin tuaj? […] Çfarë i drejti është ky, pra, që na dërgon murtajën, rrufenë dhe bubullimën, epidemitë, fatkeqësinë dhe skamjen, vetëm e vetëm se të parët tanë, të nxitur nga kureshtja, nga kjo flakë e gjallë që ngjiz njohjen, kanë guxuar ta këpusin mollën? (f. 25.)

Sipas Simon Magut, Zoti njeriut ia kishte ndaluar më të vlef­shmen, atë që e dallon nga kafsha, e që është njohja e së mirës dhe së keqes. Për Simon Magun njeriu duhet të jetë i lirë gjith­një rreth çështjes së njohjes, andaj edhe tregimi ka ngjyrim të lartë filozofik që ndërlidhet me gnoseologjinë si disiplinë e veçantë.

Tregimi ndan popullin në dy taborë: në njërën anë është Simoni me bashkëshorten Sofien dhe ithtarët e tij, ndërsa në anën tjetër është Pjetri me nxënësit e vet, që janë të bindur në mrekullitë e fesë krishtere.

Miti i Simon Magut në tregimin e Danillo Kishit merr dy epilogë të ngjashëm, por në variante të ndryshme.

Në të parin Magu synon që ta arrijë qiellin e shtatë, ndonëse ishte i vetëdijshëm që qielli i shtatë arrihej vetëm me anë të mendimit, sepse atje gjithçka është dritë e lumturi, ndërsa këto njeriut të vdekshëm i janë mohuar. Megjithatë Simon Magu ngrihet lart e populli së bashku me Pjetrin mbesin të shtangur. Megjithatë kjo ngritje e një pabesimtari nuk është e përher­shme, andaj Zoti përmes komunikimit me Pjetrin bën dallimin mes besimit dhe ndjenjave:

“Ndiq këshillat e mia, o besnik. Thuaj popullit se besimi është më i fuqishëm se vegullia e ndjenjave, thuaje këtë me zë të lartë që ta dëgjojnë të gjithë. Dhe thuaju atyre pa t’u trembur syri që ta marrin vesh të gjithë: Zoti është një dhe emri i tij është Elohim, edhe Biri i Zotit është një dhe emri i tij është Jezu, edhe besimi është një dhe ai është besimi i krishterë. Simoni, i quajtur, Magu, që para syve tuaj është ngjitur lart nga fuqia e vullnetit dhe nga fuqia e mendimeve të Tij, dhe tashmë fluturon, i padukshëm drejt yjeve, i rrëmbyer nga dyshimi dhe nga forca e kureshtjes njerëzore që megjithatë ka caqet e veta. Dhe thuaju atyre me zë të lartë që të gjithë të dëgjojnë, se jam po ashtu unë që i kam dhënë atë forcë tundimi, sepse unë i kam lejuar ta vërë në provë shpirtin e të krishterëve, për t’u treguar të gjithëve, se nuk ka fare mrekulli e as pushtet jashtë timit. (f. 34.)

Dhe pas kësaj, nga qielli i lartë dhe retë, Simon Magu me një shpejtësi të jashtëzakonshme bie pingul drejt tokës, përplaset fuqishëm me tokën, duke u shkapërderdhur trupi i tij njerëzor.

Ndërsa në variantin tjetër, Simon Magu kërkon nga turma që të varroset i gjallë, me pretendimin se do të mbijetojë. Por, pasi populli së bashku me Pjetrin e mbulojnë të gjallë në dheun e zi, ndërkaq tri ditë më vonë e zhvarrosin, Simon Magu është i vde­kur dhe i shpërbërë nga insektet nëntokësore.

Në të dy versionet bashkëshortja prostitutë, Sofia, është e vet­mja që i vjen keq për fundin tragjik të Simonit dhe përfundon tregimin me mallkimin drejtuar Zotit, duke e konsideruar si më të madhin e tiranëve. Ndërkaq veprimet atipike të Simonit i quan provë e saktësisë së mësimit të tij.

Tregimi Simon Magu shpërfaq pamundësinë e individit për të dalë përtej fuqisë mbitokësore; përmes këtij teksti mund të ngri­het paralele edhe midis kontrolluesit dhe të kontrolluarit, me ç’rast kur ky i fundit synon që të arrijë diçka, fundi medoemos është tragjik. Kjo na ngjason edhe me sistemin diktatorial, ku drejtuesi ka të gjitha kompetencat, ndërkaq populli nuk mund të dalë jashtë mundësive të paracaktuara. Megjithatë, përtej frymës ideologjike, tregimi ndërlidhet ndjeshëm me botëkupti­met se njeriu është i kufizuar në aspektin e njohjes, sidomos kur kemi të bëjmë me vdekjen, jetën pas vdekjes e kështu me radhë, që mbeten si çështjet metafizike më të paidentifikueshme.

“Enciklopedia e të vdekurve”, një libër imazhesh

Në kuadër të librit “Enciklopedia e të vdekurve” të Kishit kemi të bëjmë me një novelë prej së cilës emërtohet i gjithë libri. Kjo novelë, manifestuar përmes një narracioni fantastik duke u përshkuar ndjeshëm nga dimensioni onirik, mund të konside­rohet si një ndër tekstet më interesante të përmbledhjes.

Novela shpërfaq pikat kyçe të jetës së një personazhi, nga lindja e deri në vdekje, përmes një narratori anonim, prandaj novela pasohet me nëntitullin “Një jetë e tërë”.

Vetëm në fund të tekstit mund t’i hetojmë disa indikacione që gjithçka zhvillohet në memorien e narratorit homodiegjetik, i cili rrëfen ngjarjet kryesore të të atit, që i janë ngulitur në kuj­tesë. Por, kjo zhvillohet në një mënyrë më unike.

Si fillim, narratori me ftesë të Institutit të Kërkimeve Teatrore shkon në Suedi. Aty një zonjë, Kristina Johansson, e çon në Bibliotekën Mbretërore. Në ambientet gotike të bibliotekës, narratori gjen “Enciklopedinë e të vdekurve”, librin që për­fshinte biografitë detajizuese të të vdekurve nga një periudhë e caktuar. Në mesin e tyre gjendet edhe i ati; portreti i tij në mes, pasuar nga dy kolona anash me tekst, ndërsa poshtë viti i lin­djes dhe vdekjes: 1910-1979.

Kapërcimet në kohë dhe hapësirë janë të hatashme; fillimisht konstatojmë se narratori rrëfen nga një kohë aktuale brenda një hapësire surreale të improvizuar, që na ngjason me pamje oni­rike. Me hapjen e vëllimit të rëndë, pra “Enciklopedisë”, kalo­het te fëmijëria e të atit për të kaluar më pas me shpejtësi skena të ndryshme biografike.

Mund të theksojmë që edhe mënyra se si narratori e quan rojtarin e bibliotekës duke iu referuar Cerberit mitologjik është krejt figurative dhe menjëherë na shtyn të mendojmë për një hapësirë fantastike.

Libri është shumë përshkrues, madje në detajet më të hollësi­shme; ai, përveçse shpërfaq të gjitha marrëdhëniet njerëzore, takimet, vendlindjen, banimin, bredhjet gjeografike e kështu me radhë, libri nxjerr edhe anën e brendshme, e kjo është më e veçanta që e dallon atë nga, ta zëmë, “Libri i të vdekurve tibet­ianë”, “Kabala” apo nga “Jetë shenjëtorësh”.

Novela “Enciklopedia e të vdekurve” më shumë shquhet për natyrën përshkruese sesa rrëfimtare, madje kjo cilësohet karakte­ristikë e thurjes tekstore të Danillo Kishit, me ç’rast novela nuk ka një subjekt të caktuar; mungon ndërveprimi mes persona­zhesh; dialogimi etj. Më shumë vjen në shprehje subjektiviteti i skajshëm që prozës i jep sens lirik duke e zhveshur nga kom­pozicioni klasik.

Me gjithë detajet më të vogla përshkruese, narratori thekson që e gjithë jeta e të atit është përmbledhur vetëm në pesë a gjashtë faqe të “Enciklopedisë”, që respekton kronologjinë, por duke u ndalur vetëm në ngjarjet kryesore të jetës së individit. Me anë të kësaj pjese theksohet ideja që jeta e njeriut, sado e gjatë dhe e mbushur me ngjarje të ndryshme, rrjedh me shpejtësi të hatashme drejt vdekjes duke mbetur vetëm disa kujtime nga tërësia jetësore.

Kështu narratori rikujton përmes librit enciklopedik fëmijërinë e të atit në Ruma, aty ku ishte nxënës liceu, pastaj regjistrimin në shkollën e gjeodezisë, ushtrinë, punën në Kadastër, dashuri­çkat rinore, takimin dhe martesën me nënën, ku vihen në pah edhe disa karakteristika të ballkanasve sa i përket martesës, shpenzimeve enorme e kështu me radhë, përjetimet në Luftën e Parë Botërore, gjendjen e rënduar fizike, sëmundjen e kance­rit, aktivitetet artistike si piktor i luleve të ndryshme e deri te vdekja.

Pra, novela bën një rekapitullim në pika të shkurtra të jetës së D. M., apo ndryshe si i ati i narratorit homodiegjetik. Por, neve si lexues çfarë na jep përshkrimi i jetës së këtij personaliteti? Përmes kësaj novele konstatohet që jetët e njerëzve janë unike dhe asnjëherë të njëjta, prandaj duhen konsideruar si të shenjta:

Në të vërtetë – dhe unë mendoj se këtu është mesazhi thelbësor i autorëve të Enciklopedisë – asgjë nuk përsëri­tet kurrë në historinë e njeriut, gjithçka që me sy të parë duke e njëjtë, nuk është ashtu; çdo njeri është në të vër­tetë një yll i veçantë, gjithçka ndodh gjithmonë dhe kurrë, gjithçka përsëritet pafundësisht dhe asnjëherë. (Ja përse autorët e librit Enciklopedia e të vdekurve, e këtij monumenti madhështor për të ndryshmen, ngulmojnë te e veçanta, ja përse çdo krijesë njerëzore për ta është një gjë e shenjtë.) (f. 62)

Kjo novelë e konkretizuar krejtësisht sipas modelit analeptik, përveç përshkrimeve të jetës së D. M., shtron informacione edhe nga ngjarje të ndryshme politike, duke na dhënë një pamje të atmosferës së epokës gjegjëse. Sidomos narratorit i ngjan me një përmbledhje të shkurtuar të tërë kronologjisë së Luftës së Parë Botërore, me ç’rast çdo skenë është përshkruar me një lloj subjektiviteti të theksuar lirik që ngjarjeve të ndryshme u jep ndijim filmik.

 Vdekja e një bije proletarësh

Sikundër edhe më herët, po ashtu edhe te tregimi “Nderime të përmortshme” kemi të bëjmë me temën e vdekjes dhe ngjar­jet që vijnë më pas. Ndonëse tregimi është i kufizuar në shpërfa­qjen e anës së brendshme të personazheve, megjithatë ai nxjerr në pah pakënaqësitë e mëdha të turmës kundrejt fatit të indi­vidit.

Tregimi “Nderime të përmortshme” pasqyron historinë e brishtë të prostitutës Marjeta, duke u përqendruar te vitet 1923-1924, në qytetin e Hamburgut.

Siç e thotë edhe vetë autori në pjesën post-scriptum të librit, për këtë tregim është ndikuar nga Jan Valteni ose Valtini që në novelë ka një rol episodik. Në fakt Valtini është personazh real, dhe në një libër të tij “Jashtë natës” (Out of the night), ndër të tjera, kemi edhe historinë e një prostitute dhe ngjarjet që vijnë më pas. Dhe pikërisht i frymëzuar nga kjo pjesë, Danillo Kish konkretizon tregimin “Nderime të përmortshme”, me qëllim që të vihet në theks dallimi mes shtresash shoqërore.

Rrëfimi i gërshetuar me përshkrime të shumta të ambientit detar na ngjason me tablotë e Rubensit, Rembrandit e kështu me radhë. Te ky tregim fokusi kryesor bie te Marjeta, e cila befasisht kishte ndërruar jetë në një nga dhomat e vogla të hote­lit si pasojë e pneumonisë.

I gjithë teksti është i ndërtuar përmes rrëfimit në të kaluarën, nëpërmjet ukrainasit Bandura që në tregim na paraqitet si një detar dhe revolucionar pas vdekjes së Marjetës. Në fakt, Ban­dura rrëfen ndodhitë pesë vjet pas kësaj ngjarjeje të kobshme.

Vdekja e Marjetës kishte ngjallur dhimbje të mëdha te populli, marinarët, të huajt, që gjithnjë kishin pasur kontakt me të buku­rën Marjeta. Dhe tregimi ndërlidhet me revolucionin e çudit­shëm për t’i shqyer lulet e hapësirave publike me qëllim që të zbukurohej varri i Marjetës.

Danillo Kish në kuadër të kornizës tregimtare ndërfut edhe personazhe nga shtresa të varfra shoqërore siç është rasti i pros­titutës. Madje ajo ka një rëndësi të posaçme saqë edhe Bandura, apo rrëfimtari, si në fillim, po ashtu në fund të tregimit, thek­son:

“Besomë, – gjëmon Bandura, – për asnjë putanë në botë nuk janë derdhur lot aq të çiltër… Dhe asnjë e vdekur s’ka pasur ndere të atilla.”

Për varrimin e Marjetës kishin shqyer dyert e serrave të luleve bashkiake dhe kishin plaçkitur kopshtet e vilave të periferisë. (f. 41.)

Pas vdekjes së Marjetës çuditërisht kishe lindur një revolucion i vogël i marinarëve të portit të Hamburgut ndaj shtëpive të të pasurve. Pra vjedhja e luleve për t’ia zbukuruar varrin e Marje­tës cilësohej si një akt revolucionar i proletariatit ndaj borgje­zisë.

Tregimi “Nderime të përmortshme” ka nuanca të qarta kun­dër pabarazisë shoqërore. Kjo më së miri hetohet në pjesën kur Bandura thekson:

“Nuk bëhet shaka me vdekjen. Lulet kanë një rrugëtim dialektik mjaft të përcaktuar dhe ndjekin një cikël biolo­gjik nga çelja deri te kalbëzimi. Proletarët kanë të drejtë të kenë të njëjtat nderime të përmortshme ashtu si të pasurit. Laviret janë pjellë e pabarazisë së klasave; (pra) ato janë të denja të kenë të njëjtat lule si edhe zonjushat e familjeve fisnike” (f. 43.)

Në një pjesë të tregimit Bandura, që ka rolin e narratorit me dije të kufizuar, përshkruan edhe jetën e Marjetës duke u nda­lur vetëm te disa informacione që për të janë të njohura. Për shembull, ai tregon se Marjeta rrjedh nga një familje proleta­rësh, nga një nënë rrobaqepëse dhe një baba pijanec që punonte vetëm ngarkim-shkarkim në portin e Marsejës.

Pra, ndonëse i gjithë rrëfimi lidhet me prostitutën Marjeta dhe vdekjen e saj, mungon një subjekt i mirëfilltë i zhvillimit të ngjarjeve dhe peripecive të ndryshme të personazheve. I gjithë tregimi manifestohet përmes kujtesës së Bandurës që tejkalon kohën për ta risjellë gjendjen kaotike pas vdekjes së Marjetës, personazh që mund të merret edhe si figurë metonimike për shtresën e varfër të popullit, apo për proletarët e fillimit të shek. XX.

Novelat e tjera dhe karakteristikat zhanrore të librit

Përveç novelave që i kemi trajtuar më lart, libri i Danillo Kishit “Enciklopedia e të vdekurve” përbëhet edhe nga tregime të tjera për të cilat në pika të shkurtra do t’i shfaqim disa veçori për­mbajtjesore.

“Legjenda e të përgjumurve” është tjetër novelë e përmble­dhjes, fabula e së cilës merret nga legjenda e të fjeturve që haset edhe në shkrimet e shenjta islame, por edhe krishtere. Madje novela fillon me një citat nga Kurani: Ata qëndruan në shpellë treqind vjet, të cilëve iu shtuan edhe nëntë vite të tjera. Rrëfimi për­qendrohet te këto tre personazhe: Dionisi, miku i tij Malhysi dhe bariu Gjon që sorollatet me qenin e tij të quajtur Kitmir. Novela është e ndarë në 20 pjesë të shkurtra, që në mënyrë fragmentare paraqet jetën e këtyre tre personazheve nëpër malin Celion. Gjithçka zhvillohet në mënyrë somnabulike dhe fundi i novelës paraqet Dionisin, Malhysin dhe Gjonin të shtrirë në shpinë, duke u dergjur, në një gjumë të rëndë të vdekjes që me duart e kryqëzuara bëjnë lutje. Rimarrja e kësaj historie, ndër të tjera, ka të bëjë me shpërfaqjen e anës njerëzore që shpeshherë refuzon t’u përkulet forcave sunduese, me ç’rast parazgjedh dis­tancimin e përhershëm.

Ngjarja e tregimit tjetër “Pasqyra e të panjohurës” nuk fillon in medias res por, siç thekson narratori, gjithçka zhvillohet pak e nga pak në mënyrë të papritur. Në fakt, ky tregim edhe për nga kuantiteti tekstor është më i shkurtër dhe ka të bëjë me paraqitjen e një familjeje hebreje. Ngjarja vendoset në Hungari, ndërkaq koha ndërlidhet me shekullin XIX. Familja hungareze, e përbërë nga prindërit dhe tri vajzat, Hana, Miriami dhe Berta, merr fokusin kryesor. Madje rrëfimi përqendrohet te një detaj i veçantë që ka të bëjë me blerjen e një pasqyre nga një cigan. Pastaj e gjithë ngjarja ka karakter parashikues, me ç’rast vajza parasheh vrasjen e babait dhe të motrës. Pra tregimi mbyllet me fundin tragjik të zotit Brëner dhe vajzave të tij. Tregimi, përveç subjektit kryesor, në sfond shtron edhe ngjarje që ndërlidhen me historinë, shoqërinë dhe politikën.

Përmbledhja “Enciklopedia e të vdekurve” përbëhet edhe nga një tregim që përshkohet nga mendimi filozofik duke u ndalur te ndërthurja mes artit dhe moralit. Tregimi titullohet “Historia e mjeshtrit dhe e nxënësit” që, ndër të tjera, na paraqet një gër­shetim mendimesh në mes të filozofisë klasike duke përmendur Platonin e deri te filozofia ekzistencialiste e Søren Kirkegaa­rdit. Ngjarjet zhvillohen në Pragë, aty ku Ben Haas, një erudit i njohur, çuditërisht në shkrimet e veta bashkon artin dhe eti­kën, sidomos në librin “Vera dhe shkretëtira”. Ndërsa tregimi vazhdon me nxënësin Jeshua Krohali i cili nëpërmjet diskuti­meve me mjeshtrin e tij në fund sjell librin si një parabolë bib­like, të titulluar “Udhëtimi në Kanaan”, në të cilin, ndër të tjera, bën ndarjen në mes të Dukjes së lëndës dhe Lëndës, që për të riun Jeshua ishte kruciale – pra mendimi i tij sekret. Tregimi nuk ka një rrjedhë tipike të ngjarjeve, gjegjësisht një subjekt të mirëfilltë. Gjithçka paraqitet si copëza subjektive të persona­zheve që shpërfaqin mendimet filozofike.

Tregimi “Është e lavdishme të vdesësh për atdhe” ndërlidhet me historinë e një djaloshi Esterhazi që ishte dënuar me vdekje si pasojë e kryengritjeve kundër pushtetit aktual:

Fisniku i ri kishte marrë pjesë, me armë në dorë, në një nga ato kryengritje popullore që herë pas here tronditnin vendin, që shpërthenin papritur dhe pakujtuar, krye­ngritje të përgjakshme, mizore e të dëshpëruara, të cilat menjëherë dje po aq papritmas shtypeshin në mënyrë mizore e të dëshpëruar. (f. 127.)

Ndonëse ky djalosh rridhte nga një kastë e lartë në shoqërinë hungareze, ai prapë i bashkohej popullit në kryengritjet e ndry­shme. Andaj, si rrjedhojë, ai dënohet me vdekje nga monarku. Esterhazi gjatë gjithë kohës shfaq krenarinë dhe trimërinë në raport me vdekjen, saqë të gjithë çuditeshin. Por, në anën e brend­shme, edhe ai shfaqte frikën ndaj kësaj përballjeje të panjohur. Andaj tregimi mbyllet me dy versione për fundin tragjik të të riut fisnik. I pari sugjeron për një vdekje burrërore me kokën lart, ndërsa i dyti thekson se djaloshi deri në çastin e fundit shpresonte për një mrekulli që do ta shpëtonte nga ekzekutimi përfundimtar. Megjithatë është interesante pjesa e fundit e tre­gimit ku shkruan se: historia shkruhet nga fitimtarët. Populli thur legjenda. Shkrimtarët vënë në punë imagjinatën. Vetëm vdekja është diçka që nuk mund të mohohet. (f. 132.)

Gërshetimi i historisë dhe fiksionit paraqitet edhe në novelën e parafundit me titull “Libri i mbretërve dhe budallenjve”, në të cilën në mënyrë dramatike dhe eseistike shkruhet për Protokollet e urtarëve të Sionit, që ndikuan ndjeshëm te brezat e rinj dhe pasojat tragjike që lanë më vonë. Në theks vihet lufta naziste, me ç’rast jepen pamje drithëruese nëpër kampet e përqendrimit e kështu me radhë. Ndërkaq në fund kemi të bëjmë edhe me komplotin që, ndër të tjera, lidhet me personalitetin fatkeq të Kurt Gershtajnit, i cili kishte marrë vendim të futet brenda lëvi­zjes SS me qëllim që ta sabotonte planin shfarosës.

Me një paratekst të rimarrë nga “Kënga e Këngëve”, Danillo Kish fillon novelën e fundit të përmbledhjes, “Pullat e kuqe të postës me portretin e Leninit”. Kjo novelë në tërësi mund të merret si një kritikë ndaj qasjeve sipërfaqësore që analistët psik­analitikë ua bënin shkrimtarëve dhe biografisë së tyre. Novela rrëfehet nga veta e parë, gjegjësisht nga perspektiva e një guraje, e cila fund e krye flet për të dashurin e saj, shkrimtarin e mirë­njohur rus Mendel Osipoviçin. Shkaktari kryesor që gruaja ritre­gon historinë e saj me M. O. është analiza skandaloze e Nina Rot-Svansonit rreth teksteve letrare të këtij autori. E gjithë kri­jimtaria letrare e Osipoviçit është e frymëzuar drejtpërdrejt nga letërkëmbimet dhe takimet dashurore me gruan që rrëfen, ndër­kaq në biografitë dhe analizat e realizuara ajo nuk figuron fare. Novela, ndër të tjera, ka edhe një frymë antileniniste, gjegjë­sisht anti-komuniste, me ç’rast pullat e kuqe me portretin e Leninit i paralelizon me vulat e kuqe me gjak mbretëror. Sa i përket kësaj novele, vlen të theksohet se, ndonëse kemi të bëjmë me citime të shumta, siç pohon vetë autori, novela është një trillim i pastër dhe duhet të lexohet si i tillë.

Në fund, nga këto që u analizuan deri tash, mund të konsta­tojmë se të gjitha tregimet/novelat përshkohen nga tema për­afërsisht të ngjashme që rëndom ndërlidhen me vdekjen, luftën, fatin e individit e kështu me radhë. Megjithatë ato, qoftë si të veçanta, apo në tërësi, nuk i përgjigjen një subjekti dhe një rrjedhje kronologjike të ngjarjeve. Gjithashtu, nuk kanë ndonjë personazh që merr pjesë në secilin tekst. Andaj për nga forma duhet të merren si të veçanta, ndërkaq për nga tematika dhe përmbajtja duhet të shihen si të përbashkëta. Si rrjedhojë e kësaj, libri i nënshtrohet një problemi zhanror, sepse për nga e para do të mund ta cilësonim si përmbledhje novelash e tregi­mesh, ndërsa për nga e dyta si roman.

Jo vetëm çështja zhanrore, por edhe modelimi narrativ i tek­steve është tejet i veçantë. Intertekstualiteti i theksuar apo rimarrja e ngjarjeve mitologjike, biblike/fetare, historike, pastaj rrëfimi somnabulik në disa raste, gërshetimi atipik i historisë dhe fik­sionit, ironia, kritika ndaj realitetit, referencat e shumta nga fushat e kulturës dhe dijes e kështu me radhë, janë vetëm disa prej karakteristikave që këtij libri i japin ngjyrime postmoderne.

[1] Danilo Kiš: Enciklopedia e të vdekurve, Aleph, Tiranë, 2019, f. 19. përkth. Feride Papleka (Citimet e tjera do të merren nga i njëjti libër)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sali Bytyqi Para derës së Klinikës së Kirurgjisë pritnin shumë…