Çfarë dihet deri tani për vrasjen në Hajvali

12 gusht 2025 | 08:26

Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00, një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Prishtinës. Një person u gjet i vdekur në një veturë me targa londineze në lagjen Hajvali. Viktima është identifikuar si Muhamet Matoshi, 41 vjeç, i cili sipas dëshmive të para, u vra pas një konflikti në trafik që eskaloi në përdorim armësh.

Zyrtarë të Policisë dhe të Emergjencës konfirmuan se viktima kishte plagë nga arma e zjarrit dhe kishte mbërritur pa shenja jete në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). “Në QKUK ka ardhur i vdekur me plagë nga arma e zjarrit,” deklaroi drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

I dyshuari për vrasjen sipas Sinjalit, është Xhemajl Nuhiu, i cili sipas Policisë së Kosovës është tashmë i identifikuar, por ende në arrati. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë thënë se Nuhiu braktisi makinën pas vrasjes dhe u largua në këmbë. Po ashtu, ekzistojnë dyshime se ai mund të ketë kryer vetëvrasje pas ngjarjes, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe Policia ka angazhuar njësi të shumta për kapjen e të dyshuarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Banorët e Hajvalisë janë të tronditur dhe të shqetësuar për sigurinë në lagje, duke kërkuar masa më të rrepta parandaluese nga institucionet.

Kjo vrasje ndodhi vetëm një ditë pas një tjetër ngjarjeje tragjike – një vrasje e trefishtë në Gjilan, duke ngritur shqetësimet për rritjen e rasteve të dhunës në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qyteti i Gjilanit të dielën u trondit nga një ngjarje…