
Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se sjellja e Qeverisë në detyrë dhe e ministrave në detyrë, pa kontroll parlamentar dhe pa pasur kujt t’i japin përgjegjësi shihet më së miri tek nxitja dhe përkrahja e sjelljeve të ZRrE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit.
“Nuk i takojnë ZRrE-së vendimet për tregun e lirë të energjisë, siç shprehet ministrja e ekonomisë, por këto vendime i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, të cilat mbrojnë të drejtat e bizneseve, të punëtorëve të punësuar në to, të investimeve në këtë sektor, të mundësive të kthimit të kredive, me këtë edhe mbrojtjes së sektorit bankar dhe të konkurrencës”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Ai ka thënë se ky Ligj parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg, në dobi të sektorit privat, jo në shkatërrim të sektorit privat.
“Duhet të ruhemi nga pasojat e mendësisë dhe veprimeve shkatërruese! Shtet kemi aq sa kemi ekonomi. Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?”, ka shkruar Mustafa.