Çfarë kërkon zotëri Marty? (10)

19 korrik 2020 | 12:36

Shkruan: Kudusi Lama

Kam parasysh që gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, kur ushtria serbe, policia e saj, paramilitarët e kriminelët dhe të uniformuarit nga popullata civile serbe në Kosovë, meqenëse nuk ia dilnin të përballeshin me luftëtarët e lirisë, bënin masakra nga më monstruozet mbi popullatën e paarmatosur, deri tek ne vinin gazetarët e stacionit televiziv “EURO NIWZ”, të cilët, megjithëse merrnin informacion shumë të pasur e të saktë, duke u pritur me shumë respekt, pasi donim të jepej sa më mirë e vërteta, ata kur shkonin në televizionin e tyre, jepnin informacione nga më të pakuptimtat në ballafaqim me të vërtetën, që kishin marrë te ne. Të befasuar nga ky qëndrim, kërkuam të dinim se pse ndodhte kështu dhe pamë se në redaksinë e këtij stacioni televiziv kishte një redaksi të veçantë për Evropën Juglindore dhe në këtë redaksi ishin kryeredaktori dhe një redaktor serb e një redaktor grek. E kuptuam se ky televizion nuk mund të jepte tjetër informacion përveç atij që jepte. Por zotëri Martyn nuk e kuptoi, sepse ai nuk është serb. Pse pra ai merr përgjegjësinë e shpifësit, çfarë kërkon ai?

Të gjithë i dinë shkaqet e luftës në Kosovë. Vetëm serbët e Serbia nuk duan t’i pranojnë ato shkaqe. Sepse ata nuk e konsiderojnë të përfunduar luftën. Ata po të kenë mundësi i bëjnë edhe një herë krimet që kanë bërë për një shekull. Ata thjesht bëjnë analiza, për të gjetur ku kanë gabuar, që nuk kanë arritur t’i zhdukin plotësisht shqiptarët në trojet e pushtuara. Po zotëri Marty pse, a është vërtet edhe ai i mllefosur për këtë?

Dikush ka mendimin se ne duhet të rrimë e të dëgjojmë, por të mos reagojmë. Ndërsa unë mendoj se mosreagimi është verbëri, ne nuk kemi të drejtë të jemi të verbër. Megjithëse jemi mësuar me shpifje prej kohëve të hershme, kur prej serbëve jemi quajtur njerëz me bisht, turq, pastaj irredentistë, komunistë, fundamentalistë, kriminelë, kontrabandistë armësh e droge, si dhe në fund edhe trafikant qeniesh njerëzore e të organeve jetike të tyre. Këto i arsyeton, i vërteton dhe i propagandon edhe zotëri Marty pa asnjë arsye, pa nevojë, por me gjakftohtësi evropiane dhe me fuqi evropiane. Ai nuk ka asnjë provë, por etiketimet i bën sikur duket se ka shërbyer vërtetë si transportues i këtyre organeve njerëzore. Dhe kjo mund të ketë të vërtetë, sepse zakonisht ne nuk jemi akuzuar asnjëherë për diçka që ka qenë e panjohur. Gjithçka është kryer nga serbët dhe ajo përvojë është eksportuar te shqiptarët. Nuk mund të besoj se zotëri Marty nuk e di këtë. Prandaj edhe duke e ditur se nuk është serb vazhdimisht më rri në kokë pyetja: Çfarë kërkon zotëri Marty? Ai para se t’i deklaronte fajtorët, do të ishte mirë të kishte takuar shqiptarët në vendet që i konsideron të ngjarjes. Nuk arrij ta kuptoj logjikën e këtij zotërie që lëshon një lumë akuzash në emër të Evropës pa asnjë verifikim por, thjesht, me thashetheme serbe. Realisht ky zotëri me ato që deklaron u ngjanë atyre që, meqenëse nuk dinë çfarë të bëjnë, merren me thashetheme për të tjerët, pa arsyetuar fare për rrjedhojat. Kjo është metoda serbe: akuza pa argumente dhe torturë mbi të akuzuarin ta pranojë fajin.

Sa keq që në hetimin e Gjykatës Speciale për “krimet” e UÇK-së nuk do të ketë disa hetues serbë që ta bënin hetimin mbi të akuzuarit, siç janë mësuar ta bëjnë ata. Do të ishte mirë që organet politike evropiane t’i rekomandonin kësaj hetuesie t’i merrte disa të tillë.

Nuk kanë pse ruhen këto gjykime nga politizimi pasi provat i kanë dhënë që veprojnë sipas dëshirave dhe interesave politike, veç jo evropiane, por serbe. Këtë e vërtetoi më së ploti deklarimi para juridik i akuzës për presidentin e Kosovës dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, vetëm për të mos e lënë të ishte përballë serbëve në Uashington.

Prandaj, edhe po mori kjo gjykatë disa hetues serbë, do të bëjë mirë, se është e vetmja gjë që akoma nuk e ka bërë për interes të serbëve e Serbisë. Kështu do të siguronin që gjithçka të ishte e pranuar sipas dëshirës së hetimit, nuk do të kishte nevojë më për afate verifikimesh, por menjëherë vihen etiketat e kriminelit dhe kryeni punë. Sa e turpshme.

Ka kaluar një kohë e gjatë prej deklaratave shpifëse dhe akuzuese të Dik Martyt. Askush nuk ka vërtetuar asgjë. Të gjithë ata që kanë ndërmarrë fushatën bashkë me brigadierin Marty, kanë heshtur. Akuzat shpifëse kanë mbetur. Ky vërtet ishte qëllimi i këtij zotërie? Këtë kërkonte ai? Që, thjesht, të hidhte disa shpifje për ta nxirë portretin kombëtar shqiptar?

Por nuk është një episod kjo pamje e zotëri Martyt. Ai është portretizuar si kundërshqiptar e proserb edhe në momente të tjera. Ja si flet ai para mediave zvicerane në vitin 2008, intervistë të cilën gazeta “Epoka e re” në Prishtinë e boton më 24 dhjetor 2010: “Shumica e vendeve nuk e kanë njohur Kosovën dhe nuk do ta njohin atë”.

Duke vlerësuar goditjet e NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, ai thotë: Këto ishin veprime agresive të paligjshme.

Nuk është e vërtetë se serbët nuk duan të lëshojnë asgjë.

Por na është thënë: “Kosova është e ndryshme. Ajo është viktimë e abuzimit nga ana e Serbisë”. Unë konstatoj se Kosova është administruar prej dhjetë vjetësh nga bashkësia ndërkombëtare dhe se pas dhjetë vjetësh ekonomia e Kosovës është inekzistente. Ajo është bërë një qendër e krimit të organizuar, trafikut të drogës, trafikut të armëve, trafikimit të qenieve njerëzore. Vihet re se nuk ka shoqëri të mirëfilltë civile, që të jetë në gjendje për të drejtuar institucione të vërteta demokratike dhe ka minoritete të ndryshme që jetojnë të mbrojtura nga ushtarët ndërkombëtarë.

Ne kemi paraqitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sikur të ishte një organizatë virgjëreshash bamirëse”. (Gazeta “Epoka e re”, e premte, 24 dhjetor 2010, faqe 6).

Më duket se zotëri Marty ka treguar vetë se ç’mision ka. Ai na garanton se shumica e vendeve nuk kanë për ta njohur kurrë shtetin e Kosovës. Ai i vë etiketën e agresorit NATO-s që ndërhyri në Kosovë në mbështetje për shpëtimin e shqiptarëve në vitin 1999. Duhet të jenë të qartë të gjithë se të tillë NATO-n e ka vlerësuar vetëm Serbia. As Rusia që është mëma e Serbisë nuk e ka thënë këtë. Zotëri Marty po.

Zotëri Marty na tregon se ne nuk kemi asnjë perspektivë jetësore në Kosovë. “Edhe pas dhjetë vjetësh ekonomia e Kosovës është inekzistente. Ajo është bërë një qendër e krimit të organizuar, trafikut të drogës, trafikut të armëve, trafikimit të qenieve njerëzore. Vihet re se nuk ka shoqëri të mirëfilltë civile, që të jetë në gjendje për të drejtuar institucione të vërteta demokratike dhe ka minoritete të ndryshme që jetojnë të mbrojtura nga ushtarët ndërkombëtarë”. Vetëm se nuk thotë se duhet kthyer me të shpejtë në gjirin e Serbisë që të mund të shpëtojmë. Pra, duket se çfarë kërkon zotëri Marty. I vështirë ky mision për ju zotëri.

I rëndë jeni zotëri Marty, të rëndë e keni mendimin. Nuk gjej dot etiketë për ju. Por mund të them se asgjë nga ato që deklaroni e dëshironi ju s’keni për të gjetur e s’ka për të ndodhur, se ne e meritojmë lirinë, e meritojmë shtetësinë e meritojmë të ardhmen se jemi komb i lashtë që i kemi dhënë shumë Evropës dhe botës histori dhe lavdi. I mjeri ti o zotëri Marty, që ke rënë në këtë kurth serb ose je paguar për të bërë çka bën, i mjeri ti, haje shpërblimin se historia ka për të të vënë vulë turpi.

Megjithatë, është parë se material mediave, analistëve, gazetarëve, politikanëve, llafollogëve u ke dhënë mjaft. Ata nuk po ndalen dhe po të adresohen çdo ditë ty dhe çfarë polli raporti yt. Të papërgjegjshmëve, atyre që nuk e dinë ku e kanë atdheun, atyre që u dhemb vetëm po t’i pickosh në krahun e tyre, atyre që dinë vetëm një emër – emrin e tyre, atyre që nuk kanë investuar as edhe një shikim apo fjalë të mbarë për të ardhur në këtë ditë të lirisë ku jemi, atyre që kanë ikur nga sytë këmbët kur ishin ditët e vështira, atyre që kishin simpati për pushtuesin, atyre që ishin bërë vegla të pushtuesit kundër vendit të tyre, atyre më në fund që janë me mision, u ke dhënë guxim, ata e kanë hapur gojën si shpellë, për të miratuar ato që keni “zbuluar”, a ky ka qenë edhe qëllimi juaj?

Në mjerim të madh ke rënë, o zotëri! Të ka mbetur raporti në dorë. Asgjë nuk mund të gatuhet me raportin tënd. Vetëm fjalë. Ani pse ngrihen edhe gjyqe për t’i akuzuar luftëtarët e lirisë. Por ty duket se të vjen shumë keq nëse është ndëshkuar ndonjë serb a bashkëpunëtor i tyre që ka bërë krime nga më të paimagjinueshmet mbi popullin e Kosovës e trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi. Nëse këtë ke kërkuar, këtë dhembje e ke shprehur me mjaft forcë. Të lumtë!

Po përse more zotëri Marty, ti dje ashtu si edhe gjykata sot, të “zhdukurit”, ashtu si edhe “dëshmitarët” i ke pa emra? Cila është vlera e fshehjes së identitetit të tyre? Apo, thjesht, duhet vërtetuar se ju keni të “drejtë”. E drejta fitohet ballë për ballë, kurrë duke u fshehur zotëri.

Ju kërkoni të vërtetoni se “dëshmitarët” tuaj i kanë parë në Kukës, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, Agim Çekun, Kadri Veselin, Azem Sylën, Sabit Gecin, Milaim Zekën, Bedri Halimin, Xhemshit Krasniqin e luftëtarë të tjerë. Disa edhe mund t’i kenë parë, se ata kanë qenë publikë në popull, sa herë kanë dashur të komunikojnë me popullin e tyre dhe t’i marrin masat e duhura për t’i lehtësuar vuajtjet e tyre që Millosheviqi me bashkëpunëtorë si puna juaj u kishte privuar të drejtën të qëndronin në shtëpitë e tyre. Por kurrë nuk i kanë parë duke u fshehur, apo duke bërë punë që nuk ishin në funksionin e tyre në shërbim të Luftës Çlirimtare e të popullit të tyre.

Ata kurrë nuk e kanë ulur veten, as nuk do ta ulnin deri në atë shkallë sa të merrnin në pyetje një të burgosur edhe sikur të kishte të tillë, siç po pretendoni, sepse ata ishin personalitete dhe nuk kishin kohë me bërë veprime të tilla të rëndomta. Ju a e kuptoni çdo të thotë personalitet? Besoj se nuk e kuptoni. Besoj se ju do të bënit veprime të tilla derisa mendoni dhe shkruani se personalitetet mund të merren me veprime të tilla banale. Jo zotëri, nuk ia ke qëlluar – thonë këtej nga ne. Ne e nderojmë shumë personalitetin, nuk e bëjmë kurrë personalitetin me llum. Nuk e di si e keni ju andej nga Evropa, apo më fal, nga Zvicra –  se prej andej më kanë thënë se jeni. Nga ne burrat e mëdhenj, siç ishin ata që përmendi ju, merren vetëm me punë të mëdha. E punë të mëdha në atë kohë ishin udhëheqja e luftës kundër Serbisë, bashkëpunimi me NATO-n dhe kujdesi i shtuar për popullin në vuajtje të tejskajshme.

Por ju që keni marrë përsipër një mision siç duket nga shërbimi sekret serb, kuptohet që i keni të qarta detyrat që ua kanë vënë. Të njollosni gjithçka që lidhet me Luftën Çlirimtare të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare dhe udhëheqësit e saj më të spikatur. Me sa kam kuptuar, vetëm kaq kërkoni ju zotëri Marty dhe e nderuara Gjykatë Speciale, asgjë tjetër. Ju siguroj se do të dështoni. Shqiptarët tashmë janë mësuar me akuza të tilla, se kanë 100 vjet që u bëhen. Po ju zotërinj, pse jeni kaq i mllefosur? Apo në emër të “drejtësisë”, që duket se, sipas instruksioneve serbe, i shërbeni mjaft mirë.

Prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçevic, pati deklaruar publikisht se ekipi i tij hetues ka qenë një burim i rëndësishëm për zotërinë Marty.

Po mirë more zotëri Marty, kur e more raportin prej këtij zotëri prokurorit të Serbisë, nuk i the që të mos e nxjerrë sekretin publikisht? Keni gabuar rëndë se ua ka nxjerrë bojën. U ka vënë në sytë e gjithë botës si riciklues të propagandës së vazhdueshme të qarqeve serbe, që dihet se nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po pse more zotëri bëni kaq përpjekje t’i njollosni të gjithë shqiptarët në shtëpinë e tyre në Ballkan? Çfarë kërkoni more zotëri?

Deklaratat tuaja në raportin e publikuar, zotëri Marty, kanë vetëm një vend, analizën e tyre para gjyqit. Realisht, ju ose duhet t’i gjeni fajtorët, ose duhet të shkoni në gjyq. Drejtësia është thënë – është drejtësi për të gjithë. Pra, edhe për ju zotëri. Me këto akuza që për mua jeni një vazhdues i turpshëm i krimit serb mbi shqiptarët, ju ose duhet t’i zbuloni të gjitha ato që deklaroni, ose duhet të zini vend në burg, si i dëmshëm për demokracinë evropiane e botërore. Gjykata Speciale duhet të bëjë drejtësi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i mirënjohur Fatmir Miroci, nuk ka të ndalur sa…