
Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?
Deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Ligji pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Drejtuesit sindikalistë patën bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë apo anuloj Ligjin për Paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.
Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.
“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetim të Gjykatës Kushtetuese.