
Çfarë lloji nëndetësesh po dërgon Trump më afër Rusisë, një model mund të mbajë afërsisht 160 koka bërthamore
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar që dy “nëndetëse bërthamore” t’i afrohen Rusisë, pa dhënë informacion për llojin e nëndetëses, megjithëse dyshohet se bëhet fjalë për një nëndetëse bërthamore të klasës Ohio, e cila është thelbësore për strategjinë e frikësimit të kundërshtarit.
Edhe pse opinioni publik botëror është mësuar tashmë me deklaratat bombastike dhe veprimet “energjetike” të liderit amerikan, dislokimi i “dy nëndetëseve bërthamore” për shkak të një përplasjeje me ish-presidentin rus, Dmitry Medvedevin përbën lëvizjen më të rrezikshme që është ndërmarrë nga Shtëpia e Bardhë.
Në deklaratën e tij, Trump thekson se ka dislokuar “dy nëndetëse bërthamore në rajonet përkatëse”, pa dhënë detaje për llojin e tyre.
Duhet theksuar se secila nga 71 nëndetëset që posedon marina luftarake amerikane është me energji bërthamore, por kjo nuk do të thotë se të gjitha mbajnë armë bërthamore.
Në ndryshim nga shtetet e tjera, SHBA nuk përdor nëndetëse me naftë apo elektrike, pasi që nga Lufta e Ftohtë është orientuar drejt energjisë bërthamore për shkak të autonomisë më të madhe të funksionimit.
Marina amerikane ka tre lloje nëndetësesh bërthamore, secila me një qëllim të veçantë: nëndetëse strategjike bërthamore, nëndetëse sulmuese dhe nëndetëse bërthamore me raketa lundruese.
Nëndetëset strategjike bërthamore të klasës Ohio janë shtylla kurrizore e strategjisë së frikësimit bërthamor, pasi mbajnë raketa balistike Trident II D5 të lëshuara nga nëndetësja, dhe gjithsej ka 18 të tilla, shkruan theindependent, përcjell Telegrafi.
Grupi i dytë përfshin nëndetëset bërthamore sulmuese, të cilat mund të lëshojnë raketa lundruese, por qëllimi i tyre kryesor janë detyrat “gjuetari-vrasës” për gjurmimin dhe shkatërrimin e nëndetëseve të tjera. Këto përfshihen në klasat Virginia dhe Los Angeles.
Grupi i tretë përfshin nëndetëset bërthamore me raketa lundruese, ku katër nëndetëse strategjike të klasës Ohio janë modifikuar sipas marrëveshjes New START për të mbajtur 154 raketa lundruese Tomahawk.
Pikërisht ky model i modifikuar i Ohio-s është përdorur gjatë sulmit ndaj Iranit, ku mesatarisht nga 154 raketa lundruese, rreth një e treta (afërsisht 50) janë të pajisura me koka luftarake bërthamore, pasi edhe raketat lundruese mund të jenë bartëse të armëve bërthamore.
Kombinimi më i rrezikshëm në kontekstin e deklaratës së Trump është pikërisht mundësia që ai të ketë urdhëruar dislokimin e nëndetëseve strategjike bërthamore të klasës Ohio. Këto nëndetëse konsiderohen si pjesa më sekrete e marinës amerikane, pasi secila qëndron e vetme deri në 90 ditë në zonat e caktuara operative.
Ato mund të mbajnë deri në 24 raketa balistike të lëshuara nga nëndetësja të tipit Trident II D5, ku secila prej tyre mund të mbajë deri në tetë koka luftarake bërthamore të pavarura dhe të drejtuara individualisht – që në total shkon deri në 192 koka luftarake.
Raketat Trident II D5 përdorin dy lloje kokash luftarake: W76 dhe W88, me fuqi prej 100 dhe 475 kilotonësh, që në skenarin më ekstrem janë deri në 30 herë më të fuqishme se bomba atomike e hedhur mbi Hiroshimë.
Megjithatë, marrëveshja New START mes SHBA-së dhe Rusisë kufizon kapacitetet e nëndetëseve strategjike bërthamore, duke përcaktuar që çdo Ohio të mbajë maksimumi 20 raketa, secila me nga 4 deri në 5 koka bërthamore – që i bie afërsisht 96 koka luftarake bërthamore në total për nëndetëse.
Ajo që është interesante në këtë moment është se marrëveshjen New START e kanë nënshkruar ish-presidenti amerikan, Barack Obama dhe Dmitry Medvedev – i përmendur në debat – i cili në atë kohë mbante postin e presidentit.
Në kontekstin e deklaratës së Trump për “dislokim”, duhet theksuar se të gjitha nëndetëset bërthamore kanë zonat e tyre të caktuara të operimit.
Në rastin e nëndetëseve strategjike bërthamore, shmanget rrezikimi me hyrje të thella në ujërat territoriale për të evituar rrezikun e situatave të paprecedenta.