Çfarë po ndodh me Liverpoolin? ‘The Reds’ janë mposhtur 17 herë këtë vit
Liverpooli, kampioni aktual i Anglisë, po kalon një nga periudhat më të errëta të viteve të fundit. Të Kuqtë po zhvillojnë një sezon të dëshpëruar dhe aktualisht renditen vetëm në vendin e 11-të në Ligën Premier, me 18 pikë të grumbulluara.
Të shtunën në mesditë, skuadra e Arne Slot u turpërua në Anfield, duke u mposhtur 0:3 nga Nottingham Forest – humbja e dytë radhazi me tre gola diferencë, një tregues alarmues për krizën që ka kapluar ekipin.
Trajneri Arne Slot u përpoq të shpjegonte situatën, duke theksuar se skuadra ende po prodhon raste, por po dështojnë në finalizim.
“Zgjidhja nuk është larg. Ne krijuam raste në çdo ndeshje. Kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë, por duhet të shohim veten dhe të mendojmë çfarë mund të bëjmë më mirë pas një goli të pësuar. Nuk kemi shënuar në dy ndeshje radhazi”, deklaroi ai.
Në këtë fazë të sezonit, Liverpooli duket jashtë çdo gare për titull dhe realisht ka rënë nga çdo llogaritje për të sfiduar Arsenalin, Chelsean apo Manchester Cityn.
Alarmin e madh e jep statistika më shqetësuese e vitit: Liverpooli ka pësuar plot 17 humbje gjatë vitit garues 2025.
Madje, sipas këtij treguesi negativ, ata qëndrojnë më keq edhe se Manchester United, një ekip që prej vitesh nuk konsiderohet më pretendent për titull.
Të Kuqtë do të përpiqen të ndryshojnë atmosferën këtë të mërkurë në Ligën e Kampionëve, ku do të përballen me PSV-në.
Ndërsa në Ligën Premier, Liverpooli udhëton në xhiron e radhës në Londër për tu përballur me West Ham United, në një sfidë ku presioni do të jetë më i madh se kurrë. /Telegrafi





