
Çfarë premton Ervin Shabani i PDK-së për Gjakovën? (video)
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjakovës, Ervin Shabani, ka deklaruar se programi i këtij subjekti politik për zgjedhjet e 12 tetorit është një program gjithëpërfshirës, që synon t’i adresojë nevojat e të gjitha shtresave të qytetarëve të qytetit.
Shabani ka theksuar se programi i PDK-së përfshin fusha të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia, kultura, sporti dhe të gjitha sektorët tjerë jetikë për zhvillimin e komunës.
Në fushën e arsimit, Shabani ka premtuar fillimin e mësimit tërëditor, si një zgjidhje për numrin e vogël të nxënësve dhe për eliminimin e klasave të kombinuara.
“Në arsim e kemi programin për zhvillimin e mësimit tërëditor. Ky hap do të ndërmerret nga komuna për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe për ta zgjidhur problemin me klasat e kombinuara që i kemi në komunën e Gjakovës”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Në shëndetësi, ai ka premtuar zgjerimin e punës 24-orëshe edhe për dy Qendra të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Po ashtu, në kuadër të mirëqenies sociale, Shabani është zotuar për një subvencion prej 250 eurosh për çdo lindje në këtë komunë.
“Te shëndetësia dhe mirëqenia sociale na duhet të bëjmë më shumë. Do ta zgjerojmë punën 24 orë edhe për dy qendrat tjera të mjekësisë familjare në qytet. Ndërkaq, tek mirëqenia sociale, do të mbështesim familjet që gëzojnë lindjen e fëmijëve me nga 250 euro për çdo fëmijë”, ka premtuar Shabani.
Ndërsa sa i përket zhvillimit ekonomik, ai ka bërë të ditur se fokusi i tij do të jetë krijimi i tri qendrave multifunksionale, të cilat sipas tij, do të përfshijnë hapësira afariste dhe mbështetje logjistike nga komuna.
“Këto qendra do të kenë gjithashtu kabinete të ndryshme nga sektorë të ndryshëm, ku të rinjtë, nxënësit dhe studentët e Gjakovës do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale, si dhe të nxisin dhe realizojnë idetë e tyre për biznese”, ka bërë të ditur Shabani.