Çfarë thonë dokumentet serbe për ditëlindjen e Adem Jasharit

23 gusht 2018 | 11:03

Bedri Islami

Në saktësim të shkrimit të z. Enver Robellit “Njëherë ia falsifikuan ditëlindjen, pastaj ia baltosën emrin”

Për ata që nuk e kanë lexuar: Robelli shkruan se ditëlindja e Adem Jasharit nuk është 28 nëntori, por 10 tetor 1955. Këtë e ka “zbuluar” Nexhmedin Spahiu. Pas luftës e quajtën “komandant legjendar”. Kur është quajtur ashtu? Kur luftoi e lanë vetëm. Përse ai sjell kuptimin e dytë, në të vërtetë figurativ, të fjalës legjendë dhe cili është kuptimi i fjalës legjendar dhe kuptimi primar i fjalës legjendë. Filluan të ia festojnë ditëlindjen më 28 nëntor, pas vrasjes, në Ditën e Flamurit…

Ia baltosën emrin se aeroportin e Prishtinës e quajtën “Adem Jashari”. Edhe në Shqipëri, sipas këtij përcaktimi, duke i vënë emrin e saj aeroportit të Rinasit, ia paskemi baltosur emrin Nënë Terezës. Adem Jashari, shkruan ai, ishte një fshatar kryengritës. Hapi i parë, për ta zënë vendin e duhur në themelet e Kosovës, shkruan Robelli, është që tani e tutje Kosova t’ia festojë ditëlindjen më 10 tetor.

 Si është e vërteta?

Nuk e kam menduar kurrë se do të hapej një temë e tillë por, mirë që u hap, pavarësisht se me qëllimin e gjithmonshëm të një grupimi politik apo medial, për të degraduar një figurë mitike shqiptare, i cili nuk ishte, si thotë autori, një fshatar kryengritës, që u vra për ta mbrojtur pragun e shtëpisë së vet më 26 anëtarët e familjes. Prej 58 të vrarëve në marsin e vitit 1998, 32 prej tyre ishin luftëtarë, bashkëvendës dhe bashkëveprimtarë, të cilët u përpoqën t’i vijnë në ndihmë, si kishte ndodhur më 30 dhjetor 1991, kur Jasharët u rrethuan për herë të parë dhe, si kishte ndodhur më 22 janar 1998, kur u rrethuan për herë të dytë.

A është lënë vetëm Adem Jashari?

Në rrethimin e 5 marsit, në orët e para të pasmesnatës, Adem Jashari, i sapokthyer në shtëpi, me dajën e vet, Osman Gecin, nga një takim me bashkëluftëtarë në Açarevë, u ndodh i rrethuar nga më shumë se 4 000 ushtarë specialë serbë, njësi të posaçme, mbi 200 makina të blinduara e tanke, dhe 15 gryka zjarri, të cilat, që nga vendi sipër kullave të tij, që quhej Fabrika e Municionit, qëllonin pa ndërprerje. Ishte nën rrethim jo vetëm lagjja e Jasharëve, por edhe e Lushtakëve dhe e Kodralive.

Njëkohësisht janë rrethuar dhe kanë filluar luftimet edhe në Vojnik, ku ishte drejtues Abedin Rexha, në Açarevë, Siçevë dhe Kopiliq. Llausha kishte nisur të bombardohej nga qendrat e forcave serbe në Polac. Nga drejtimi i Klinës drejt Vojnikut shkuan dhjetëra automjete të blinduara, pasi në Vojnik disa javë më parë ishte zhvilluar një betejë e ashpër kundër forcave serbe. Në Tushilë kishte, po ashtu, luftime. E, megjithatë, disa forca nga zona jashtë luftimit, si ato të drejtuara nga Ilaz Kodra, Musë Jashari, Jetullah Geci që ishte i plagosur, forcat e drejtuara nga Mujë Krasniqi, forcat e drejtuara nga Rasim Kiçina, Jahir Demaku me vëllezërit dhe shokët e tij të Drenasit etj. shkuan në ndihmë, por nuk mund ta çanin dot rrethimin ku ishin përqendruar forcat speciale serbe dhe grupi i Arkanit.

Pra, duke u përqendruar te shtëpia e Jasharëve, në fakt ishte rrethuar e gjithë ajo pjesë e Drenicës, e cila prej disa muajve kishte qenë si zonë e lirë.

Ata që e lanë vetëm ishin krijuesit e lëvizjes “paqësore”, si Bukoshi, i cili, sipas pohimit të Rifat Jasharit, vëllait të Ademit e Hamzës, edhe kur i kërkuan ndihmë, i përcolli me përbuzje. Vetëm pasi ata ranë, u kujtuan të organizonin aksionin “Gjithçka për Drenicën”, ku grumbulluan dhjetëra milionë marka gjermane, të cilat, si do të thoshte më pas numri dy i qeverisë Bukoshi, Xhafer Shatri. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qengjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e fondit të Republikës së Kosovës ruheshin për “ditë të zeza”. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët institucionalistë duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me para të popullit veprimtari kundër tij.

Shatri duhet ta ketë ditur mirë këtë punë, sepse ka qenë luga brenda vekshit.

Në fakt, si e kam shkruar në librin “Përjetësia e dyfishtë”, mjetet e përcaktuara për të shkuar në Drenicë dhe për të cilat ishte bërë një marrëveshje mes Ramiz Lladrovcit, në atë kohë përfaqësues i emëruar me shkrim nga Adem Jashari për Drenicën, Lulzim Jasharit dhe, nga ana tjetër, Azem Sylës, që ishte asaj kohe pjesëtar i Sektorit të veçantë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk u realizua asnjëherë, edhe për shkak të rrjedhës së shpejtë të ngjarjeve.

A ishte Adem Jashari vetëm një fshatar kryengritës?

E kemi dëgjuar edhe nga të tjerë se Adem Jashari ishte një fshatar kryengritës që mbrojti pragun e shtëpisë së tij. Kjo e tashmja është thjesht një përsëritje.

Adem Jashari nuk “ishte një fshatar kryengritës”, si përcakton Robelli, por drejtuesi i një strukture që po ngrihej, me vështirësi të mëdha, por me përkushtim. Të gjithë grupimet e deri asaj kohe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku ishte zona e dytë operative, pavarësisht se disa me emrin e tij të luftës, “Rafalla”, e njihnin si drejtuesin e tyre fuqiplotë. Ai nuk veproi vetëm në Drenicë. Aktiviteti i tij u shtri në të gjithë Kosovën. Ai i besonte institucionit të luftës dhe jo veprimit kaçak. Një shembull: më 11 shtator 1997, nën drejtimin e Adem Jasharit dhe me vendim të Shtabit Qendror të UÇK-së, (atëherë quhej Shtabi Qendror) në të njëjtën orë, të sinkronizuara, u organizuan 12 aksione kundër forcave policore serbe. Konkretisht: Kijevë, Gllogovc, Runik, Irzniq, Ponoshec, Suharekë, Ratkovc, Kliçinë, Ozdrim, Çallapek, Lluzhan dhe Kërpimeh.

Rreth tij vepronin grupet e veçanta të Dukagjinit, të Llapit, të Shalës dhe të Drenicës. Në paraqitjen e parë publike të UÇK-së kishte përfaqësues nga tri zona operative.

Letra e fundit e Adem Jasharit, drejtuar Lëvizjes Popullore të Kosovës, në dhjetor 1997, dhe që unë e kam publikuar më herët, është një dëshmi e jashtëzakonshme për luftën në Kosovë dhe për hallet e saj të pambarimtë.

Roli drejtues i Adem Jasharit nuk mund të përcaktohej nga grupime jashtë Kosovës; ai ishte bërë vetvetiu njeriu rreth të cilit mblidheshin gjithë të tjerët dhe që, si më thoshte një luftëtar i fillesës, “kishim padurim me e pa dhe gëzim me i dhanë dorën”.

Këtë nuk ia hiqte, si nuk ia hoqi, asnjë përfaqësi politike.

Kuptimi i fjalës legjendë dhe legjendar

Së pari: Në shkrimin e cituar, Robelli, duke kërkuar ta shpërdorojë termin “komandant legjendar” që i është atribuuar Adem Jasharit, sjell përkufizimin e fjalës “legjendë”, rastësisht apo me dashje, kuptimin e dytë dhe figurativ të saj.

Në fjalorin e gjuhës shqipe ka dy përkufizime për fjalën legjendë. Kuptimin e saj direkt dhe atë figurativ. Po i sjell të dyja:

  1. Gojëdhënë. Legjendë popullore. Legjenda e Mujit dhe e Halilit. Legjendat për Gjergj Kastriotin. Mbeti legjendë. Hyri në Legjendë.
  2. fig. Trillim që përhapet me qëllime të caktuara për dikë a për diçka; diçka që nuk i ngjan fare së vërtetës.

Përse Robelli ka zgjedhur pikërisht këtë përkufizim të dytë, aq më tepër kur saktësohet se është kuptim figurativ, e di vetë ai.

Megjithatë, Adem Jashari është cilësuar si “Komandanti i përgjithshëm legjendar”.

T’i kthehemi fjalorit që citon Robelli, një rresht më sipër.

Në fjalor kuptimi i fjalës legjendar është në dy versione:

  1. Që ka të bëjë me legjendën, që lidhet me legjendën, i legjendës, që është legjendar…dhe
  2. Që është kthyer në legjendë, që është karakteristik për legjendat; që bën trimëri të pashoqe, që mbetet i pavdekshëm, madhështor, i jashtëzakonshëm. Hero legjendar. Figurë legjendare. Luftë, epope legjendare. Trimëri legjendare.

Duke i dhënë emërtimin “legjendar” u synua të bëhej pikërisht ajo që është dashur: një njeri “që bën trimëri të pashoqe, që mbetet i pavdekshëm, madhështor, i jashtëzakonshëm”.

Kur u shpall Adem Jashari komandant i përgjithshëm legjendar?

Robelli, ndoshta nga padija e ngjarjeve, shkruan se “Pas luftës e quajtën komandant legjendar”…. Kur është shpallur Adem Jashari komandant i përgjithshëm legjendar i UÇK-së?

Këtë e kam treguar në shkrimin tim “Loti në sytë e Rifat Jasharit”, kur shkova t’i jap lajmin se është marrë vendimi për shpalljen e Adem Jasharit “komandant i përgjithshëm legjendar i UÇK-së” dhe kërkoja miratimin e tij.

Kur ndodhi kjo?

Adem Jashari nuk është shpallur pas luftës komandant legjendar, por më 5 mars 1999, në përvjetorin e rënies së tij.

Ai nuk është shpallur thjesht “komandant legjendar”, por më saktë “komandant i përgjithshëm legjendar”, duke nënvizuar përcaktimin “i përgjithshëm”.

Ata që më pas hoqën përcaktimin “i përgjithshëm”, kanë mëkatet e tyre ndaj tij dhe figurës së tij.

Shpallja e tij është bërë pikërisht në përkujtimin e parë të rënies së tij, në qytetin e Mynihut, në prani të mijëra vetave, pastaj është bërë publikimi në mediet shqiptare

Të nesërmen lajmi është emetuar në Radiotelevizionin Publik Shqiptar nga drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni dhe një njeriu me përkushtim të madh ndaj luftës në Kosovë, pa asnjë përfitim vetjak, Eduar Mazi.

Më 5 mars 1999 askush nuk e ka ditur se në qershor të këtij viti do të ndodhte ditëçlirimi i Kosovës.

Është gjykuar të bëhet në këtë ditë, pasi jo vetëm përkonte me rënien e familjes Jashari, por edhe me fillimin e ofensivës së re serbe mbi Kosovën, për të nderuar një figurë si ajo dhe për ta rritur ndjenjën atdhetare dhe përgjithësimin e luftës përmes një figure si ajo e Adem Jasharit.

Vetëm nga shtetet perëndimore, në një periudhë shumë të shkurtër, janë kthyer në Kosovë, të organizuar, rreth 9 400 luftëtarë të rinj.

Si u bë publike për herë të parë ditëlindja e Adem Jasharit dhe nga kush?

Por, le t’i kthehemi ditëlindjes së Adem Jasharit, si një datë e rëndësishme historike, edhe nëse ajo nuk do të ishte më 28 nëntor 1955, si ka ndodhur, por në secilën ditë të vitit.

Fakti që një hero kombëtar, jo një fshatar kryengritës, u lind më 28 nëntor, është parë si një shenjë fatsjellëse dhe si një urë përbashkuese e kombit. Fakti që, po ashtu, njerëzit e të gjitha trevave e ndiejnë njëlloj të afërt figurën e tij legjendare është, po ashtu, shpresëdhënëse, në të kundërtën e një psikoze që duan domosdo të krijojë një linjë të përbashkët mendimi beogradas lidhur me luftën dhe figurat e saj. Në këtë linjë e përjashtoj zotin Robelli.

Le të vijmë tek e fundit, por kësaj here më e rëndësishmja: ditëlindja e Adem Jasharit: është 28 nëntori apo 10 tetori i vitit 1955? Me cilën ditëlindje e kanë njohur, ndjekur, gjykuar e dënuar serbët Adem Jasharin dhe a është e vërtetë se vetëm pas luftës po festohej ditëlindja e tij më 28 nëntor?

Çfarë thonë dokumentet e kohës?

Ja një prej tyre:

Më datën 4 tetor 1996 Gjykata Serbe në Kosovë lëshoi aktvendimin mbi zhvillimin e hetimeve kundër 15 qytetarëve të Kosovës, mbi përkatësinë e tyre në një organizatë terroriste.

Gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Danica Marinkoviqi, në lëndën penale të të pandehurit Besim Rama etj., për shkak të veprës penale terrorizëm, nga neni 124 i LPJ, lidhur me nenin 19 të LPJ, duke vendosur sipas kërkesës për zbatimin e hetimeve të PPQ në Prishtinë PP. nr. 139-96 nga data 4. X. 1996, merr këtë akt vendim mbi zbatimin e hetimeve kundër:…

  1. Besim Rama….
  2. Avni Nura…
  3. Adem Jashari, i biri i Shabanit, i lindur më 28 nëntor 1955 në Prekazin e Ulët, Komuna e Serbicës, shqiptar, shtetas i RFJ-së, i martuar, bujk, gjendet në arrati…

Gjykata Speciale Serbe duhet ta kishte më mirë se kur ka lindur Adem Jashari për të cilin ka shkruar ditëlindjen 28 nëntor 1955.

Në këtë gjyq, me këtë ditëlindje, Adem Jashari do të dënohej me 20 vjet burgim, aq sa ishte dënimi më i lartë i asaj kohe në Kosovë.

Tani, sipas Robellit, një koleg i tij, Nexhmedin Spahiu, analist kontrovers dhe gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për denigrimin e UÇK-së, i njëjti që dikur, në qershor 1998, në kulmin e ofensivës serbe, u deklaronte medieve të huaja se në Kosovë janë dy UÇK që po përplasen me njëra-tjetrën, paska zbuluar një ditëlindje tjetër dhe retushimi i historisë duhet të fillojë nga kjo.

Shteti policor serb, Gjykata e Qarkut të Prishtinës, e dënoi Adem Jasharin, lindur më 28 nëntor 1955, me 20 vjet burgim.

Ai mund të kishte lindur në çdo ditë tjetër të vitit dhe do të ishte njëlloj legjendar për shqiptarët por, publikisht, ditëlindja e tij është bërë e njohur nga ata që e ndoqën, e rrethuan dhe në fund e vranë me pjesën më të madhe të familjes së tij.

28 nëntor 1955.

Ky ishte fati i tij në jetë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë është hapur shkolla verore…