Çfarë thonë Kurti, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj për vitin që lamë pas

01 janar 2023 | 13:40

Albin Kurti: 2022-a ishte vit i rritjes së ekonomisë, ligjshmërisë dhe demokracisë

“Si qeveri ende nuk jemi në mes të mandatit, në gjysmë të mandatit, por progresi si dhe sfidat janë evidente. Viti 2022 ishte vit i krizave të shumëfishta, por në Republikën e Kosovës ishte vit i rritjes së ekonomisë, ligjshmërisë dhe demokracisë brenda vendit tonë si dhe i imazhit të Kosovës jashtë në botë. Në këtë vit që po e lëmë pas, për çështjen e drejtësisë opozita nuk na e ka dhënë ndonjë ide, kurse për atë të ekonomisë e kanë veç një ide: heqjen e TVSh-së. I falënderojmë. Tash viti 2023 duhet të jetë vit i vetingut për drejtësi dhe i zhvillimit edhe më të madh në ekonomi. Puna jonë, informimi juaj, mirëqenie qytetarëve”.

Memli Krasniqi: Vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi

“Viti 2022 për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi. Vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord; Vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve; Një vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë. Nuk është as e lehtë dhe as dëshirë e jona, që vitin 2022 të mos mund ta mbajmë mend për gjëra të mira, por, fatkeqësisht, kjo është “Kronikë e një dështimi të paralajmëruar” nga unë dhe PDK qysh me 22 mars të vitit 2021, kur ishte emëruar Qeveria Kurti II. Kabineti i dobët dhe planprogrami i varfër i kësaj qeverie, por edhe përvoja me Qeverinë Kurti I, na kishin treguar qysh në fillim se çka na pret. Gjatë këtij viti, Kjo Qeveri ka prodhuar gjithçka, përveç program zhvillimor e mbështetës për shtetin dhe qytetarët”.

Lumir Abdixhiku: Viti 2022 ishte i rëndë për vendin tonë

“Viti 2022, ndonëse i rëndë për vendin tonë dhe perspektivën e domosdoshme për qytetarët tanë, ishte vit i angazhimit të jashtëzakonshëm të burrave e grave të shtëpisë sonë politike. Sot Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme. Rëndesa ekonomike, e rritjes së çmimeve, e kaosit energjetik, e rrënimit shëndetësor e arsimor, e polarizimeve të skajshme me sektorin privat, me media, me mësues, mjek e me gjithë spektrin politik është bërë krejtësisht e zakonshme; siç është bërë e zakonshme dhe përplasja me aleatët tanë. E udhëhequr nga popullistët që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populiste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet”.

Ramush Haradinaj: 2022-a, vit sfidues

“Fatkeqësisht, gjatë mandatit të kësaj qeverie, roli i saj në zhvillimin ekonomik nuk është ndier mjaftueshëm. Kriza ekonomike dhe arroganca e tyre ndaj nevojave te këtij sektori ka ndikuar që ky vit të jetë një vit sfidues për ekonominë e vendit, në veçanti për sektorin privat. Qeveria jonë ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme. Ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-së në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit. Shpresoj se viti që po vjen të jetë një vit më dinamik dhe më frytdhënës për ekonominë e vendit dhe shpresoj në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”.

(Përgatiti: Faton DËRMAKU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus Vladimir Putin duhet të dalë para gjyqit në…