Champions League: Atletico shkatërron Tottenhamin, Bayern turpëron Atalantën – fiton Galatasaray, Barcelona shpëton në fund
Mbrëmja e Ligës së Kampionëve solli spektakël dhe shumë gola në ndeshjet e fazës së 1/8-ës së finales. Atletico Madridi dhe Bayern Munich dominuan bindshëm kundërshtarët e tyre, ndërsa Galatasaray mori fitore minimale ndaj Liverpoolit dhe Barcelona shpëtoi nga humbja në fund ndaj Newcastle.
Galatasaray triumfoi 1-0 ndaj Liverpoolit në Stamboll. Skuadra turke siguroi avantazhin që në minutën e 7-të, kur Mario Lemina realizoi me kokë pas një asistimi të Victor Osimhen. Të dy ekipet patën raste për shënim, ndërsa Liverpool gjeti rrjetën me Virgil van Dijk në minutën e 73-të, por goli u anulua për prekje me dorë. Sfida e kthimit do të luhet javën e ardhshme në “Anfield”.
Në Angli, Newcastle dhe Barcelona barazuan 1-1 në një ndeshje dramatike. Pas një pjese të parë pa gola, vendasit kaluan në epërsi në minutën e 86-të me Harvey Barnes, pas një harkimi të Jacob Murphy. Kur dukej se Newcastle do ta fitonte ndeshjen, Dani Olmo u rrëzua në zonë në kohën shtesë dhe gjyqtari akordoi penallti. Nga pika e bardhë, Lamine Yamal ishte i saktë dhe i siguroi Barcelonës barazimin.
Ndërkohë, Bayern Munich dhuroi spektakël duke mposhtur Atalantën me rezultatin e thellë 6-1. Gjermanët dominuan ndeshjen që nga fillimi dhe kaluan në avantazh me Josip Stanisic. Më pas shënuan Michael Olise dhe Serge Gnabry për 3-0. Në pjesën e dytë Bayerni vazhdoi me ritëm të lartë, duke realizuar edhe tre gola të tjerë me Nicolas Jackson, sërish Olise dhe Jamal Musiala. Atalanta arriti vetëm golin e nderit në fund me Mario Pasalic.
Spektakël i madh u pa edhe në Madrid, ku Atletico Madridi mposhti Tottenhamin me rezultatin 5-2. Spanjollët nisën furishëm dhe shënuan katër gola brenda pjesës së parë me Marcos Llorente, Antoine Griezmann, Julian Alvarez dhe Robin Le Normand. Tottenham reagoi me një gol spektakolar nga Pedro Porro për 4-1. Në pjesën e dytë Julian Alvarez shënoi sërish për 5-1, ndërsa Dominic Solanke realizoi golin e dytë për anglezët për rezultatin përfundimtar 5-2.
Me këto rezultate, Atletico Madridi dhe Bayern Munich hedhin një hap të madh drejt çerekfinaleve, ndërsa gjithçka mbetet e hapur në përballjet Liverpool-Galatasaray dhe Barcelona-Newcastle në ndeshjet e kthimit.



