Championsi vjen sonte me dy përballje gjigantësh
Mbrëmja e sotme në Champions League sjell emocione të mëdha me dy përballje të forta të çerekfinales.
Në Spanjë, Barcelona përballet me Atlético Madridin në një duel që premton spektakël dhe tension.
Historia nuk është në favor të katalanasve, pasi madrilenët kanë treguar shpesh se dinë si ta vënë në vështirësi ekipin “Blaugrana” në ndeshjet direkte në Evropë.
“Los Colchoneros” i kanë fituar dy përballjet e mëparshme në fazat me eliminim ndaj Barçës.
Kjo do të thotë se madrilenët kanë statistika më të mira në ndeshjet me eliminim ndaj katalanasve në këtë kompeticion.
Sa i përket formës aktuale, Barcelona i ka fituar 8 nga 9 ndeshjet e fundit, duke i shënuar 27 gola në këtë periudhë dhe duke krijuar moment pozitiv para këtij takimi.
Atletico vjen me formë më të zbehtë (3 humbje radhazi), por në Champions janë skuadër që mund të surprizojë, sidomos në ndeshje eliminuese.
Skuadra e drejtuar nga trajneri gjerman hyn në këtë sfidë me besim, por e vetëdijshme për rrezikun që përfaqëson Atletico, një ekip i organizuar dhe shumë i fortë në ndeshje të tilla.
Përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë të luftuara dhe shpesh të vendosura nga detaje të vogla.
Së fundmi Barça e mposhti Atleticon në udhëtim në La Liga.
Nga ana tjetër, në Francë, Paris Saint-Germaini e pret Liverpoolin në një tjetër supersfidë të kësaj nate.
Parisienët synojnë ta hedhin një hap të madh drejt kualifikimit në gjysmëfinale, por përballë e kanë një nga skuadrat më të forta dhe me më shumë përvojë në Evropë. Liverpooli mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm, sidomos në ndeshje të tilla direkte, ku intensiteti dhe përvoja e bëjnë diferencën.
Këto dy klube janë takuar 6 herë në histori në kompeticione evropiane, dhe secila skuadër i ka regjistruar nga 3 fitore ndaj tjetrës — një bilanc i barabartë që tregon rivalitet të fortë.
PSG vjen në ndeshje me formë pozitive, duke i fituar 4 ndeshje radhazi dhe duke qenë në krye të Ligue 1, një tregues i rendimentit të tyre konsistent këtë sezon.
Liverpooli ndërkohë përballet me disa mungesa kyçe për shkak të lëndimeve, por e ka një histori të fortë në Champions League, duke i fituar 6 nga 8 çerekfinalet e fundit në kompeticion.
Të dyja përballjet, të cilat do të nisin prej orës 21:00, pritet të jenë të hapura dhe spektakolare, me katër skuadra që e synojnë nga një vend në gjysmëfinale dhe janë gati të japin gjithçka në fushë.



