CHARLES BUKOWSKI

27 mars 15:09

Charles Bukowski është lindur në Andrenach (Gjermani) më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij e gjithë familja emigron në Amerikë.

Vendoset në Los Anxhelos dhe aty Bukowski qëndroi gjithë jetën. Dhe, e gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro. Është autor i 34 vëllimeve poetike, i tre romaneve dhe i një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Shumë vepra të tij, nga përkthyes dhe botues të ndryshëm, janë botuar edhe në gjuhën shqipe.

 

STIRKOFF

 

– Ulu, Stirkoff!

– Faleminderit, zotëri!

– Rehatoi edhe këmbët.

– Shumë e sjellshme nga ana juaj, zotëri.

– Stirkoff, më kanë informuar se ju keni shkruar artikuj mbi drejtësinë, barazinë; edhe mbi të drejtën për lumturi dhe mbijetesën… Stirkoff?

– Po zotëri.

– A mendoni se do të ketë ndonjëherë drejtësi të plotë dhe të arsyeshme në tokë?

– Jo tamam, zotëri.

– Por, atëherë, pse i shkruani këto mutësi? A ndoshta jeni i sëmurë?

– Ndihem ndryshe prej disa kohësh në këtë pjesë, zotëri, sikur jam gati të çmendem.

– Pini shumë, Stirkoff?

– Natyrisht, zotëri.

– Dhe bëni sende të vogla vetëm?

– Gjatë gjithë kohës, zotëri.

– Si?

– Nuk kuptoj, zotëri.

– Kështu pra, si është, si i bëni?

– Katër ose pesë vezë dhe një kilogram mish të grirë në një saksi lulesh, me qafë të ngushtë, ndërsa jam duke dëgjuar Vaughn Williams apo Darius Milhaud.

– Të qelqit?

– Jo, të qiellit, zotëri.

– Desha të them, vazoja është bërë prej qelqi?

– Natyrisht që jo, zotëri.

– A ke qenë ndonjëherë i martuar?

– Shumë herë, zotëri.

– Ulu, Stirkoff.

– Faleminderit, zotëri!

– Çfarë shkoi keq?

– Të gjitha, zotëri.

– Cila ishte copa më e bukur e pidhit që ju keni pasur ndonjëherë?

– Katër ose pesë vezë dhe një kilogram mish i grirë në një…

– Dakord, pajtohem!

– Po, zotëri.

– A e kuptoni, që dëshira juaj për drejtësi dhe një botë më të mirë është vetëm një justifikim për t’i fshehur rënien, turpin dhe dështimin që janë brenda jush?

– Epo.

– Babai yt ishte i keq?

– Nuk e di, zotëri.

– Çfarë do të thotë nuk e di?

– Dua të them se është vështirë të bësh krahasime. Baba kam pasur vetëm një.

– Po përpiqeni të ma hidhni dhe mua, Stirkoff?

– Oh, jo zotëri, siç thoni ju, drejtësia është e pamundur.

– Të rrihte yt atë?

– E bënin me ndërrime.

– Mendova se kishe vetëm një baba.

– Ashtu si gjithë të tjerët, doja të thosha se bënte zgjidhje me nënën time.

– Ta donte të mirën nëna?

– Unë isha vetëm një zgjatim i personit të saj.

– Çfarë tjetër mund të jetë dashuria?

– Një cak i përbashkët ku, sipas saj, merr kujdes të madh për një gjë shumë të mirë. Ajo nuk është e lidhur domosdoshmërisht me lidhjet e gjakut. Ajo mund të jetë një tullumbace e kuqe ose një copë bukë e lyer me gjalpë.

– Ju doni të thoni se do të donit një copë bukë të lyer me gjalpë?

– Vetëm pak, zotëri, në disa mëngjese të veçanta, nën disa rreze dielli, dashuria vjen dhe shkon pa paralajmërim.

– A është e mundur të duash një qenie njerëzore?

– Natyrisht, veçanërisht në qoftë se nuk e njohim mirë. Më pëlqen t’i shoh njerëzit nga pas dritares, kur ecin nëpër rrugë.

– Ju jeni një frikacak, Stirkoff.

– Natyrisht, zotëri.

– Cili është përkufizimi juaj për një frikacak?

– Një njeri që mendon dy herë para se të luftojë kundër një luani vetëm me duart e tij.

– Dhe si do ta përkufizoje një trim?

– Një njeri që nuk e di se çfarë është një luan.

– Dhe si e përkufizon një budalla?

– Një njeri që nuk arrin të kuptojë që koha, struktura dhe mishi pothuajse gjithmonë harxhohen kot.

– Por, atëherë, kush është i dituri?

– Të diturit nuk ekzistojnë, zotëri.

– Nëse është kështu, nuk ekzistojnë as budallenjtë. Pa natën nuk do të ekzistonte as dita; pa të zi as e bardha nuk do të ekzistonte.

– Më vjen keq, zotëri. Unë gjithmonë kam menduar se çdo gjë, ndoshta, është ajo, pa marrë parasysh ekzistencën e diçkaje tjetër.

– E keni futur karin në shumë saksi lulesh, a s’mund ta kuptoni se çdo gjë është e drejtë atje, dhe asgjë nuk mund të shkojë keq?

– E kuptoj, zotëri, të shkojë si të shkojë.

– Çfarë do të thuash nëse bëj sikur të ta pres kokën?

– Nuk mund të them asgjë zotëri.

– Desha të them në qoftë se do të ta prisja kokën, unë do të mbetesha Mundësia dhe ju do të bëheshit Asgjëja.

– Do të bëhesha diçka tjetër.

– Për qejf timin.

– Për qejfin tonë, zotëri.

– Qetësohu! Qetësohu! Shtriji këmbët!

– Shumë e sjellshme nga ana juaj, zotëri.

– Jo, shumë e sjellshme nga ana e të dyve.

– Pranoje që shpesh keni ndjenjën e të qenit i çmendur. Çfarë bëni kur e keni këtë ndjenjë?

– Shkruaj poezi.

– Poezia përkon me çmenduri?

– Jo.Poezia është çmenduri.

– Çfarë është çmenduria?

– Çmenduria është horror.

– Ç’është horrori?

– Diçka e ndryshme për çdo person.

– Por horrori është pjesë e një e tëre?

– Është atje.

– E kjo pjesa e një e tëre?

– Nuk e di, zotëri.

– E vërteton që je urtak, ç’është mençuria?

– Të dish sa më pak të jetë e mundur.

– Si bëhet kjo?

– Nuk e di, zotëri.

– A dini të ndërtoni një urë?

– Jo, zotëri.

– A dini të ndërtoni një pushkë?

– Jo, zotëri.

– Këto janë objekte të produkteve të njohurive.

– Këto objekte janë ura dhe pushkë.

– Unë do të urdhëroj të ta presin kokën.

– Faleminderit, zotëri!

– Pse?

– Ju përfaqësoni motivimet e mia, ndërsa unë kam shumë pak.

– Unë jam Drejtësia.

– Ndoshta!

– Unë jam fituesi. Unë do të bëj të të torturojnë.Unë do të të bëj të bërtasësh. Unë do të bëj ta dëshironi vdekjen.

– Sigurisht, zotëri.

– A nuk mund të kuptoni se unë jam pronari yt?

– Ju jeni manipulatori im e nuk mund të bëni asgjë që nuk mund të bëhet.

– Mendoni se jeni i zgjuar, por nuk do të thoni asgjë të zgjuar në mes të një ulërime dhe tjetrës.

– Dyshoj për këtë, zotëri.

– Rastësisht, si mund ta mbani Vaughn Williamsin dhe Darius Milhaudin? Nuk keni dëgjuar për Beatlesin?

– Oh, zotëri, të gjithë i njohin ata.

– Nuk ju pëlqejnë?

– Nuk më bezdisin.

– A ka ndonjë këngëtar që nuk ju pëlqen?

– Është e pamundur të ekzistojnë këngëtarë të pëlqyer.

– Të themi, pra, ndonjë nga njerëzit që përpiqeni ta këndoni?

– Frank Sinatra.

– Pse?

– Sepse ai zgjon një shoqëri të sëmurë pas shpinës së një shoqërie të sëmurë.

– Lexoni ndonjë gazetë?

– Vetëm një.

– Cilën?

– Qyteti i HAPUR.

– Roje! Çojeni menjëherë këtë njeri në dhomën e torturës dhe filloni punën.

– Një dëshirë të fundit, zotëri.

– Po.

– A mund ta marr me vete saksinë e luleve?

– Jo, do ta përdor unë.

– Zotëri?

– Desha të them se do të ta konfiskoj. Roje, çoje këtë njeri larg dhe kthehu përsëri këtu, kthehu këtu me…

– Po zotëri…

– Një gjysmë duzinë vezë dhe një kile mish të grirë…

Dalin roja dhe i burgosuri. Mbreti përkulet pak përpara dhe bën një ngërdheshje të ligë, ndërsa në radio fillon transmetimi i një kënge të Vaughn Williamsit.

 

(Përktheu nga anglishtja, për revistën “Akademia”, Leonora Buçinca)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është takuar të martën me…