ChatGPT dhe ekipet vetëvendosin norma sjelljeje

18 maj 2025 | 08:06

Një studim i fundit zbulon se ChatGPT dhe modelet e tjera të mëdha gjuhësore të bazuara në inteligjencën artificiale (AI) kanë aftësinë për vetëorganizim dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje njerëzore. Kur ndodhen në grupe, këto modele gjuhësore krijojnë spontanisht norma sjelljeje dhe konventa shoqërore, ashtu siç ndodh në shoqërinë njerëzore, raportojnë sot mediat italiane.

Ky studim unik, i botuar në revistën Science Advances, është udhëhequr nga shkencëtari italian Andrea Baronchelli, i cili punon në universitetin londinez City, St George’s, sipas agjencisë Ansa.

“Mekanizmi është i njëjtë me atë që qëndron në themel të shumicës së sjelljeve të ndërlikuara njerëzore, si rregullat e mirësjelljes, kodi i veshjes dhe normat morale”, tha ai.

Studiuesit kryen një eksperiment të përshtatur që përdoret edhe për të studiuar konventat sociale tek njerëzit, duke formuar dy grupe modelesh gjuhësore si ChatGPT.

Çdo grup u kërkua të zgjidhte një emër nga disa opsione të ofruara – në këtë eksperiment, një shkronjë e alfabetit ose një varg i rastësishëm karakteresh.

“Modelet gjuhësore, të ashtuquajturat LLM (modele të mëdha gjuhësore), merrnin pikë pozitive sa herë që arrinin të koordinonin me sukses përdorimin e të njëjtit emër, ndërsa në rast të mossuksesit merrnin pikë negative”, sqaroi Baronchelli.

Sipas tij, ky mekanizëm shërben për të motivuar aktorët që të bien dakord përmes ndërveprimit lokal – një skemë e njëjtë me ato të përdorura më parë në eksperimente laboratorike me njerëz, të cilëve u ofroheshin shpërblime të vogla monetare për zgjidhjen me sukses të detyrave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka…