Chelsea ia vendos çmimin Palmerit, interesohet Unitedi

10 shkurt 2026 | 16:34

Është zbuluar çmimi që Chelsea kërkon për Cole Palmer, mes spekulimeve të vazhdueshme se ai mund të jetë në rrugë drejt Manchester United.

Pasi u rrit në akademinë e Manchester Cityt, Palmer ka qenë një zbulim te Chelsea – duke shënuar 51 gola dhe duke dhënë 31 asistime në 114 paraqitje që nga transferimi prej 42.5 milionë paundësh në “Stamford Bridge”.

Reprezentuesi i Anglisë e udhëhoqi Chelsean drejt triumfit në Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube dhe ka kontratë deri në vitin 2033.

Megjithatë, kohët e fundit Palmer është lidhur fort me United, klubin që e mbështeste që në fëmijëri.

Spekulimet u shtuan në fundjavë pasi Palmer realizoi “hattrickun” e tij të katërt për Chelsean kundër Wolves, ndërsa kapiteni i United, Bruno Fernandes, komentoi në postimin e tij në Instagram duke shkruar: “Çfarë lojtari”.

Ky koment shkaktoi reagime të mëdha te tifozët e United, të cilët menjëherë menduan se Fernandes po i “uronte” një transferim.

Sipas “TEAMtalk”, Palmer është “objektivi i ëndrrave” i United dhe “Djajtë e Kuq” po shqyrtojnë një ofertë për 23-vjeçarin në afatin kalimtar veror.

Palmer mbetet lojtari më i rëndësishëm i Chelseat dhe raporti pretendon se “Blutë” nuk do ta shisnin për më pak se 150 milionë paund.

Kjo shumë do të ishte rekord për United, pasi transferimi më i shtrenjtë i tyre mbetet ai i Paul Pogba për 89 milionë paund në vitin 2016.

Do të ishte gjithashtu shitja më e madhe në historinë e Chelseat, duke kaluar shumën që morën për Eden Hazard kur e shitën te Real Madrid në vitin 2019.

Palmer reagoi ndaj zhurmës së fundit duke vendosur duart te veshët në Molineux dhe foli pas ndeshjes:

“Të gjithëve u pëlqen të flasin budallallëqe, apo jo? Nuk i kushtoj shumë vëmendje. I sheh gjërat,” tha Palmer.

“Por ndihem sikur vij nga një bazë e fortë, kështu që nuk i kushtoj vëmendje.”

Ai gjithashtu tha se jeta nën drejtimin e trajnerit të ri Liam Rosenior është “e mrekullueshme” dhe se i pëlqen shumë mënyra si luan ekipi dhe si ndërtohen strategjitë në stërvitje.

Palmer ka pasur probleme me dëmtimet këtë sezon, por tha se ndien se mund të “kalojë në një nivel tjetër” kur të rikthehet plotësisht në formë.

Chelsea rikthehet në aksion të martën mbrëma, kur pret Leeds United në Premier League në “Stamford Bridge”. /Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardon Jashari po shihet si e ardhmja e mesfushës së…