Christopher Hill dhe e vërteta e UÇK-së

Diplomati amerikan Christopher Hill ka një përvojë të gjatë diplomatike me Ballkanin. Kjo lidhje fillon nga janari i vitit 1961, kur ai po qëndronte në Beograd si biri i një anëtari të stafit të Ambasadës Amerikane.
Hill, asokohe vetëm 9-vjeçar, u përball me demonstrime politike: një turmë studentësh të inatosur, me dijeninë e qeverisë komuniste të Titos, marshuan drejt shtëpisë së tyre në Beograd. Hill kujton se si sulmi ishte i dhunshëm: “Ata shkruan epitete, gërvishtën sllogane dhe gjuajtën me gurë […]” Më tej, ai vë në dukje pasivitetin e qëllimshëm të autoriteteve serbe: “përveç dy policëve të cilët ishin më të interesuar në cigaret e tyre sesa në mbrojtjen e shtëpisë sonë, nuk kishte forca të tjera sigurie”.
Rikthimi i tij diplomatik në Beograd ndodhi në vitin 1978. Duke shërbyer si oficer ekonomik, Hill, tashmë 25-vjeçar, takoi të admiruarin e tij, Ambasadorin Lawrence Eagleburger (i cili më vonë shërbeu si Sekretar i Shtetit, 1992–1993). Në një shkrim përkujtimor me rastin e vdekjes së ambasadorit, më 4 qershor 2011, Hill kujton këtë moment: “Eagleburger më tregoi se çfarë po përpiqej të bënte në Jugosllavi, në muzgun e jetës së Presidentit Josip Broz Tito: të ndërtonte një rrjet marrëdhëniesh me Jugosllavinë në mënyrë të tillë që ta pengonte vendin të shkonte në një drejtim tjetër”.
Që nga ajo kohë, diplomacia amerikane kishte filluar të nuhasë rrezikun e fragmentimit etnik të Jugosllavisë. Ky shqetësim do të rritej edhe më shumë pas vdekjes së Titos, më 4 maj 1980, kur dallimet etnike që ishin mbajtur të heshtura për më shumë se tre dekada, filluan të dilnin në pah. Vdekjes së tij bota i bëri homazhe. Krerët e shteteve morën pjesë masivisht në funeralin e tij, mes të cilëve gjendej edhe oficeri ekonomik amerikan, Christopher Hill. Megjithatë, ajo që Tito nuk arriti t`i siguronte Jugosllavisë ishte ndjenja e shpresës për të vazhduar trashëgimin e një shteti unitar.
Si rezultat vdekja e tij në masë të madhe nxiti nacionalizmin serb, të cilët ankoheshin se ishin lënë pas dore gjatë periudhës titiste me parullën: “Serbia e dobët, Jugosllavia e fortë.” Pas vdekjes së tij, serbët synonin ta ndërronin këtë rregull: “Serbia e fortë me një Jugosllavi të dobët dhe të dominuar prej tyre.” Kjo filozofi politike kishte një porosi të qartë për popujt e tjerë: “ose duhet t’i nënshtrohen këtij rregulli, ose duhet të përballen me Serbinë, përfshirë këtu edhe luftën.”
Divergjencat e thella që dominonin midis popullit serb (si grupi etnik më i madh dhe dominues) dhe popujve të tjerë të Federatës Socialiste, veçanërisht kroatëve, sllovenëve, boshnjakëve, por sidomos shqiptarëve të Kosovës, ishin burimi kryesor i konflikteve. Një vit pas vdekjes së Titos, këto tensione u përshkallëzuan ndjeshëm kur, përmes demonstratave masive studentore të vitit 1981, shqiptarët e Kosovës ngritën kërkesën për avancimin e statusit të Kosovës në atë të një Republike Federative brenda Jugosllavisë.
Paralelisht, dhe me ide shumë më të hershme, kishin filluar të intensifikoheshin planet nacionaliste serbe për t’i hequr shqiptarëve edhe të drejtat ekzistuese të garantuara me Kushtetutën e vitit 1974. Ky synim, i udhëhequr nga Sllobodan Miloševići, u konkretizua përmes ndryshimeve të dhunshme kushtetuese më 23 mars 1989, akt me të cilin u suprimua autonomia e Kosovës duke shënuar kështu fillimin e një periudhe të shtypjes së dhunshme përgjatë gjithë viteve të `90-ta, dhunë e cila në fund kulmoi me luftë të armatosur.
Rikthimi në Ballkan
Ishte marsi i vitit 1991 kur Hill u kthye përsëri në Ballkan, kësaj radhe në Shqipëri, ku pluralizmi dhe demokracia sapo kishin mundur komunizmin gati gjysmëshekullor. Pas 52 vitesh ndërprerje bashkëpunimi, SHBA-ja, përmes të ngarkuarit të saj me punë, Christopher Hill, hapi ambasadën në Tiranë më 1 tetor 1991.
Karriera e ambasadorit Hill pësoi një ngritje të shpejtë pas ardhjes në pushtet të demokratëve. Në këtë periudhë, ai mbajti postin e Drejtorit të lartë në Stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) dhe atë të Asistentit Special të Presidentit Bill Clinton.
Angazhimi i tij në negociatat e Dejtonit në vitin 1995 shërbeu si një kthesë e rëndësishme e karrierës së tij, ku njohuritë e grumbulluara që nga fëmijëria u vunë në funksion të diplomacisë për ndalimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Si zëvendës i Richard Holbrooke, ai luajti një rol thelbësor në hartimin dhe zbatimin e Marrëveshjes që i dha fund luftës në fund të vitit 1995. Holbrooke në librin e tij Për t’i dhënë fund një lufte (To End a War), e përshkruan Hillin si një negociator “briliant, i patrembur dhe argumentues”, duke e theksuar si një nga arkitektët kryesorë të prapaskenave të Marrëveshjes së Dejtonit.
Siç është theksuar nga shumë studiues vendorë e të huaj, në Dejton çështja e shqiptarëve të Kosovës nuk u përmend fare, gjë e cila, me të drejtë, shqetësoi shqiptarët sidomos përkrahësit e linjës paqësore. Kjo mungesë zgjidhjeje shtyu një pjesë të popullsisë të mbështeste opsionin e luftës si mjetin e vetëm të mbetur. Këta elementë iu bashkuan një bërthame të vogël, e cila ishte strukturuar prej kohësh për rezistencë të armatosur duke formuar kështu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hill, duke qenë i thelluar në çështje, në librin e tij Pararojë (Outpost) shkruan se “pritjet e shqiptarëve ishin të pabaza, pasi procesi i paqes së Bosnjë dhe Hercegovinës nuk parashikonte përfshirjen e çështjes së Kosovës.” Si argument, ai kujton: “Unë isha i njohur me çështjen e Kosovës, pasi kisha punuar në Shqipërinë fqinje. Në disa udhëtime në vitet 1994–1995 kisha kuptuar se ajo çështje e ndërlikuar nuk mund të mpleksej me problemin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.”
Pra, e thënë fjalë për fjalë, Hill na rikujton se nuk ishte dhe asnjëherë nuk është “premtuar” se në Dejton do të flitej, e aq më pak të zgjidhej, çështja e Kosovës.
Lajmi i mirë për shqiptarët ishte se pas Marrëveshjes në Dejton, SHBA-të arritën në përfundim se problemet në Kosovë identifikoheshin si çështje që duheshin zgjidhur përpara se të hiqej “Muri i Sanksioneve” ndaj Jugosllavisë.
Pas përfundimit të punës së tij në Konferencën e Dejtonit Hill, nuk u largua nga fokusi diplomatik ndaj Kosovës. Për rrjedhojë, njohuritë e thella me rajonin bënë që Hill të emërohej nga Presidenti Bill Clinton si Ambasador në Maqedoni më 2 korrik 1996, në vendin fqinj ku shqiptarët përbënin rreth 30% të popullsisë.
Kur në fillim të vitit 1998 u bë e qartë se Kosova po hynte në fazën e saj të konfliktit në kuadër të luftërave ballkanike, në maj të atij viti, Administrata Clinton e angazhoi me detyrë shtesë, si të Dërguar Special për Kosovën, Ambasadorin në Shkup, Christopher Hill. Në këtë rol të ri, Hill nisi diplomacinë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim negocimin e një zgjidhjeje politike paqësore.
Pas një sërë përpjekjesh diplomatike, të cilat rezultuan të dështuara për shkak të keqpërdorimit politik nga ana e Slobodan Miloševićit. Arritja e një takimi të drejtpërdrejtë ndërmjet udhëheqjes shqiptare dhe asaj serbe u bë e mundur falë presionit intensiv diplomatik amerikan ndaj Ibrahim Rugovës për të takuar udhëheqësin serb.
Siç edhe pritej, takimi i tyre i 15 majit 1998 në Beograd u shfrytëzua dhe u manipulua menjëherë nga Miloševići. Ai, duke e konsideruar Kosovën si një çështje të brendshme të Serbisë, e cilësoi takimin si një “lëshim pe” të tijin. Për më shumë Miloševići e paraqiti këtë ngjarje si një sukses personal propagandistik, duke demonstruar se udhëheqësit shqiptarë ishin detyruar të uleshin në tryezën e bisedimeve pa praninë e ndërmjetësve ndërkombëtarë, duke legjitimuar kështu tezën se zgjidhja e krizës do të arrihej vetëm përmes një dialogu të brendshëm.
Përderisa Miloševiçi bëhej kinse po negocionte, në të njëjtën kohë vrasjet dhe masakrat në Kosovë vazhdonin me intensitet edhe më të madh. Duke kuptuar këtë politikë mashtruese, qarqet ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-ja, aplikuan një strategji të re: përfshirjen e menjëhershme të faktorit ushtarak dhe politik të UÇK-së në negociata. Ky hap u ndërmor vetëm pasi ishte bërë e qartë se nuk mund të arrihej asnjë zgjidhje për Kosovën pa palën që kishte ndërkombëtarizuar çështjen nëpërmjet rezistencës së armatosur.
Chriatopher Hill, takimet e tij me UÇK-në
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Ambasadorit Hill dhe UÇK-së ishin intensive përgjatë gjithë periudhës së luftës. Natyrisht, në kuadër të këtyre takimeve, ekzistonin dy dinamika paralele të cilat në disa raste kaluan në ballafaqime dhe kundërshtime të hapura: 1) Presioni diplomatik i ushtruar nga Hill për të nxitur lëshime nga ana e UÇK-së në kërkesat e tyre për pavarësi të plotë. 2) Kundërshtimi dhe vendosmëria e palëkundur e përfaqësuesve të UÇK-së për të vazhduar misionin për të cilin ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Këto kontakte nisën me takimin e parë të dokumentuar zyrtarisht, i cili u zhvillua në Junik, më 24 qershor 1998. Në këtë rast, Ambasadori Hill shoqëronte Richard Holbrooke-un në një përpjekje për të vlerësuar nga afër platformën politike dhe kërkesat e forcës çlirimtare, e cila tashmë kishte tërhequr vëmendjen e theksuar ndërkombëtare.
Publikimi dhe shpërndarja masive e imazheve nga ky takim u interpretuan gjerësisht në sferën ndërkombëtare si një njohje de facto e legjitimitetit të UÇK-së nga SHBA-ja.
Në javët dhe muajt në vazhdim, bisedimet diplomatike u intensifikuan. Sfidë kryesore për politikën amerikane ishte identifikimi i modaliteteve për përfshirjen e UÇK-së në procesin e negociatave. Ambasadori Hill, i cili nga muaji korrik 1998, kishte marrë edhe akreditimin si ndërmjetës i Grupi të Kontaktit për Kosovën, kujton fillimet e përpjekjeve për të gjetur vendndodhjen e përfaqësuesve të UÇK-së në zonat malore. Më 28 korrik, në fshatin Likovc, Hill u prit nga Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tij. Gjatë javëve dhe muajve në vazhdim, takimet u zhvilluan midis Ambasadorit Hill, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe përfaqësuesve të tjerë të UÇK-së siç është rasti i 6 nëntorit 1998 më Dragobil të Malishevës.
Në përpjekje për të bindur palët ndërluftuese, Hill e kaloi gjysmën e dytë të vitit 1998 duke zhvilluar një diplomaci lëvizëse (Shuttle Diplomacy) mes kryeqyteteve Prishtinës e Beogradit me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të përkohshme. Ky angazhim intensiv çoi në hartimin e propozimit që u bë i njohur si “Plani Hill”. Meqenëse palët kishin kundërshti shumë të mëdha dhe gjasat për një marrëveshje ishin zero. Në momentin e publikimit u shfaqen mospajtimet e mëdha. Plani u bë objekt kritikash dhe u refuzua kategorikisht si nga pala shqiptare ashtu edhe nga ajo serbe. Në Kosovë, ky plan u kundërshtua unanimisht, për shkak se ai injoronte qartazi aspiratat legjitime të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke ofruar vetëm një zgjidhje të përkohshme autonomie. Ndërkohë, në Serbi, ai gjithashtu u prit me kritika të ashpra; Ambasadori Hill u akuzua se kishte propozuar një marrëveshje që cenonte drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se hartimi i këtij plani nuk ishte një punë vetjake e Ambasadorit Hill. Grupi hartues përfshinte figura me ndikim në Departamentin e Shtetit, si Jamie O’Brien, jurist me lidhje të ngushta me Sekretaren Madeleine Albright, dhe Jonathan Levitsky, i cili kontribuonte në formulimin e politikave.
Në thelb, “Plani Hill” përfaqësonte një kompromis të domosdoshëm midis divergjencave të thella që ekzistonin brenda vetë administratës amerikane. Gjithashtu, ai duhej të balanconte pozitat e shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit, ku prania e Rusisë, si aleate historike e Serbisë, e bënte këtë balancim veçanërisht sfidues në atë kohë. Megjithatë, përgjegjësia zyrtare dhe pesha kryesore e kritikës për dështimin e planit u adresuan te Ambasadori Hill, në rolin e tij si fytyra publike dhe ndërmjetësuesi kryesor i Grupit.
Këto divergjenca dhe vonesa diplomatike u cilësuan me të drejtë nga shumë kritikë si një strategji taktike e Perëndimit, që synonte, së pari, fitimin e kohës për të konsoliduar kohezionin e munguar midis aleatëve perëndimorë. Ky ‘konsensus’ e kishte gjetur rrugën e presionit ushtarak më 13 tetor 1998, kur NATO paralajmëroi Beogradin me një Urdhër Aktivizimi (ACTORD) për ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë. Ky veprim detyroi Miloševićin të nënshkruante marrëveshjen me Holbrooke.
Ndonëse kjo marrëveshje ishte qartësisht e përkohshme, ajo pati një vlerë trefishtë: Së pari siguroi një pauzë gjatë dimrit që po kërcënonte me katastrofë humanitare qindra mijëra shqiptarë, të cilët po bredhnin në kushte çnjerëzore nëpër male të mbuluara me borë. Së dyti mundesoi largimin e një pjese të konsiderueshme të forcave serbe nga Kosova, si pjesë e marrëveshjes Holbrooke-Milošević. Dhe së treti i dha një mundësi strategjike riorganizimi për UÇK-në e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme nga ofensiva e forcave serbe në vjeshtën e vitit 1998.
Dështimi i “Planit Hill” mori refuzimin përfundimtar me Masakrën e Reçakut më 15 janar 1999. Kjo ngjarje tragjike, e dokumentuar gjerësisht nga Misioni Verifikues i OSBE-së, shërbeu si katalizator kyç dhe provë e pakundërshtueshme për komunitetin ndërkombëtar se konflikti nuk mund të zgjidhej pa vendosjen e një force paqeruajtëse. Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtij dështimi dhe nevojës urgjente për një zgjidhje të menjëhershme, Grupi i Kontaktit inicioi organizimin e Konferencës së Rambujesë. Kjo konferencë u konceptua si ultimatum diplomatik ndaj palëve, veçanërisht Serbisë, për të pranuar Marrëveshjen që parashikonte futjen e trupave të NATO-s në terren, duke e shënuar si përpjekjen e fundit për të shmangur ndërhyrjen ushtarake.
Konferenca e Rambujesë u organizua nën bashkëkryesimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të dy shteteve pritëse dhe anëtare të Grupit të Kontaktit: Robin Cook (Mbretëria e Bashkuar) dhe Hubert Védrine (Francë). Roli i ndërmjetësuesve dhe hartuesve kryesorë të draftit të marrëveshjes iu caktua Christopher Hill (SHBA), Wolfgang Petritsch (Bashkimi Evropian) dhe Boris Majorski (Federata Ruse). Të tre ndërmjetësit posedonin nga një aset strategjik. Petritsch përfaqësonte BE-në dhe demonstronte aftësi të larta në negocimin me UÇK-në. Majorski kishte rol kyç për ta mbajtur palën serbe të angazhuar në bisedime. Ndërsa Hill sillte në tryezë prestigjin dhe forcën ushtarake potenciale të SHBA-së.
Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt 1999 dhe përfundoi më 23 shkurt 1999. Përfshirja e UÇK-së në bisedime, ku ajo mori rolin drejtues në delegacionin shqiptar me Hashim Thaçin në krye, shënoi një njohje të rëndësishme ndërkombëtare de facto. Kjo ishte një fitore e dukshme diplomatike, duke pasur parasysh se UÇK-ja, më parë ishte cilësuar nga Beogradi si forcë “terroriste” me të cilën udhëheqja serbe kishte deklaruar se nuk do të dialogonte “kurrë”, u trajtua nga Grupi i Kontaktit si palë e barabartë në tryezën e negociatave, gjë për të cilën edhe pala serbe u detyrua të pajtohej. Ky zhvillim e ngriti çështjen e Kosovës nga një krizë rajonale në agjendën më të lartë të gjeopolitikës botërore.
Për Kosovën propozim marrëveshja parashikonte praninë e një force ushtarake të NATO-s (KFOR), një kërkesë jetike e kahershme e shqiptarëve për garantimin e sigurisë së tyre kundër kërcënimit dhe represionit të regjimit të Slobodan Miloševićit.
Megjithatë, kjo marrëveshje mbartte një sfidë të vështirë për t’u pranuar: Konferenca, në mënyrë të qartë, parashikonte vetëm autonomi të zgjeruar për Kosovën, dhe kjo brenda kufinjve ekzistues të Jugosllavisë/Serbisë.
Gjithë anëtarët e delegacionit dhe në veçanti Thaçi si drejtues i delegacionit u gjend përballë dy sfidave thelbësore të parashikuara nga draft-marrëveshja: demilitarizimin e saj të plotë dhe heqjen dorë nga kërkesa për pavarësi. Këto dy kushte preknin drejtpërdrejt themelet dhe arsyen e krijimit të UÇK-së. Në këtë kontekst, detyra kryesore e përfaqësuesve të UÇK-së ishte dhe anëtarëve tjerë ishte që, përmes negociatave, të bindnin SHBA-të dhe aleatët evropianë, që kërkesa e tyre për pavarësi të garantohej në vullnetin e popullit, përmes një referendumi, i cili do të mbahej tre vjet pas përfundimit të luftës.
Pas orësh të zgjatura negociatash intensive, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Hashim Thaçi, pranoi marrëveshjen në parim.
Një ndihmesë të madhe si garantuese e marrëveshjes dha Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila nënshkroi një letër detyruese, ku artikulohej qartë qëndrimi i SHBA-së:
”[…] Ne do të konsiderojmë këtë propozim, ose çdo formulim tjetër, për të cilin mund të arrihet pajtimi në Rambuje, si konfirmim i të drejtës së popullit të Kosovës për të mbajtur një referendum mbi statusin final të Kosovës pas tre vjetësh.”
Roli i Christopher Hill në momentet kritike të këtij procesi ishte thelbësor. Gjatë fazave të fundit të hezitimit, Hill e lehtësoi procesin me propozimin që askush nuk kishte nevojë të nënshkruante menjëherë. Paul Williams, i cili shërbeu si këshilltar i delegacionit shqiptar, kujton se marrëveshja në parim nuk u arrit deri “në shtatë minutat e fundit të konferencës,” derisa ndërmjetësi amerikan Hill “bëri një diplomaci efikase, duke bindur delegacionin shqiptar nga ‘Ende nuk jemi të sigurt’ në ‘PO’.
Krejt në fund, diplomati Christopher Hill, gjatë karrierës së tij gjysmëshekullore, u profilizua si një ndërmjetës me ekspertizë të rrallë mbi luftërat e njëpasnjëshme në ish-Jugosllavi dhe rolin e tij në procesin e ndërtimit të paqes.
Emërimi i tij si i Dërguar Special i SHBA-së për Kosovën përbën momentin e tij vendimtar. Ky mandat i lartë e autorizoi atë të zhvillonte diplomacinë e drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e UÇK-së dhe të menaxhonte negociatat kyçe, duke përfshirë ato të Konferencës së Rambujesë.
Të gjitha këto të dhëna të grumbulluara përbëjnë një regjistër të detajuar mbi qëndrimet politike, sjelljet strategjike dhe doktrinën operacionale të UÇK-së.



