
Cila është arsyeja? Arrestohet aktori i njohur amerikan
Aktori amerikan, Raymond Cruz, ka përfunduar në prangat e policisë në Los Angeles, për një incident të pazakontë që përfundoi me akuzë për sulm të lehtë fizik.
Aktori i njohur për rolin e tij si Tuco Salamanca në serialet e famshme, “Breaking Bad” dhe “Better Call Saul”, po lante makinën e tij në orët e para të mëngjesit të së hënës kur ndodhi incidenti.
Ngjarja ndodhi në lagjen Silverlake të LA-së, pranë banesës së aktorit 60-vjeçar.
Një grua dhe vajza e saj, të cilat thuhet se kishin parkuar pas makinës së Cruz-it, u përfshinë në një debat verbal me aktorin, pasi ai u kërkoi të lëviznin automjetin.
Duke cituar burimet, “Mirror” shkruan se pas këtij debati, 60-vjeçari dyshohet se ka spërkatur qëllimisht nënën dhe vajzën me tubin e ujit që po përdorte për larjen e makinës.
Sipas raportimeve, palët e përfshira kanë kontaktuar menjëherë policinë, duke pretenduar se akti ishte i qëllimshëm dhe përbënte agresion.
Ndërkohë për këtë ngjarje ka reaguar përfaqësuesi i aktorit, i cili i ka mohuar akuzat në fjalë, duke thënë se ngjarja është keqinterpretuar dhe se Cruz nuk kishte qëllim të dëmtonte askënd.
Ai mbetet në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë pamjet dhe dëshmitë e incidentit.