
Cili është qyteti më miqësor me fëmijët në botë?
Një analizë e realizuar nga organizata Clean Cities ka nxjerrë në pah se Parisi është qyteti evropian më i përshtatshëm për fëmijët sa i përket infrastrukturës urbane. Ky vlerësim vjen pas një studimi të kryer në 36 qytete të mëdha evropiane, ku janë marrë në konsideratë rrugët përreth shkollave, kufizimet e shpejtësisë dhe siguria e korsive të biçikletave.
Parisi kryeson listën me 75% të pikëve, falë reformave të guximshme në hapësirat publike që prekin drejtpërdrejt jetën e fëmijëve. Qyteti ka kthyer 220 rrugë përreth shkollave në zona të ndaluara për makinat, ka vendosur kufi shpejtësie 30 km/h pothuajse kudo dhe ka ndërtuar korsi të mbrojtura për biçikleta.
Përveç transportit, Bashkia e Parisit ka ndërhyrë edhe në oborret e shkollave, duke gjelbëruar dhe kthyer mbi 130 të tilla në hapësira freskuese me hije.
Ndërkohë, fëmijët përfitojnë transport publik falas, aktivitete jashtëshkollore me subvencione, materiale shkollore që shpërndahen falas që në klasën e parë, si dhe dreka bio në kopshte dhe shkolla, me çmime simbolike për familjet me të ardhura të ulëta.
Parisi gjithashtu po promovon edukimin klimatik dhe zhvillimin digjital për të rinjtë përmes iniciativave si “Akademia për Klimën” apo “Tumo Paris”.
Në renditje, pas Parisit vijnë Amsterdami me 63% dhe Antwerp me 62%, ndërsa top 10 përfshin gjithashtu Brukselin, Lyonin, Helsinkin, Barcelonën, Bristolin, Oslon dhe Ghent.