Çitaku: 17 shkurti i 2008-s ishte i akullt, por njëkohësisht dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka kujtuar edhe një herë ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ngjarje në të cilën ishte vetë prezente.
Në “Klan Kosova”, Çitaku ka thënë se 17 shkurti i 2008-s ishte i akullt e acartë, por njëkohësisht, dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë për Kosovën.
Po ashtu, ajo ka ndarë edhe një kuriozitet, për çfarë ka thënë se ditën kur Kosova ishte shpallur shtet i pavarur dhe sovran, nuk ishte shkaktuar asnjë aksident.
“Çdo 17 shkurt më kthehen emocionet e njëjta. Ka qenë ditë e ftohtë, temperaturat kanë qenë të akullta, por njëkohësisht ka qenë dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë. Atë ditë shumë pak njerëz e din, por nuk ka pasur as aksident trafiku në Kosovë. Atë ditë kam qesh e kam qa, kam qa për prindërit, gjyshërit për jetët që kemi jetuar, kam qa për jetët që s’janë më, por edhe jam gëzuar për fëmijët që po lindin në një shtet të ri”, ka thënë Çitaku.
Ndër të tjera, Çitaku ka thënë se kjo festë pa udhëheqësit e Kosovës nuk kremtohet njësoj.



