Çitaku dhe Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë: Nuk pati vullnet politik për rezolutën

08 prill 2026 | 16:14

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të dakordohet për rendin e ditës për seancën e së premtes, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që në votim të futet rezoluta për mbrojtjen e së kaluarës historike dhe trajtimin e viktimave të luftës.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si politike dhe ka bërë thirrje për unitet të deputetëve në miratimin e një teksti të përbashkët.

“Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur që të dakordohet për rendin e ditës, të cilin do ta kenë për shqyrtim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën e ditës së premte. Siç e dini, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka proceduar dhe ka protokolluar kërkesën për miratimin e një rezolute të veçantë, e cila për trajtim do të kishte mbrojtjen e të kaluarës sonë historike dhe trajtimin e viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Ne, për ne asnjëherë kjo çështje nuk ka qenë politike. Kujtesa nuk është vetëm e kaluara. Kujtesa është identitet. Kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohemi ne si shoqëri, si institucione, si shtet. Ne kemi synuar edhe në seancën e kaluar dhe ne insistojmë edhe sot në kryesinë e Kuvendit, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës të ulen për miratimin e një teksti të dakorduar mes grupeve parlamentare, dhe përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të kontaktojnë tashmë grupet parlamentare për të dhënë këtë iniciativë, në mënyrë që në Kuvend të dalim të bashkuar, dhe një rezolutë të tillë ta votojmë me unanimitet, me solemnitet, dhe ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje kombëtare”, ka thënë Çitaku.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se mungesa e vullnetit politik ka penguar që kjo pikë të përfshihet në rendin e ditës.

“Nuk ka pasur vullnet politik nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe si rezultat i kësaj nuk kemi mundur që të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reporterët pa Kufij bashkë me një numër të madh të…