
Çitaku: E frikshme se si LV-ja e trajton Kuvendin, vonesa për ta është bërë normë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se është e ‘‘frikshme’’, mënyra se si sipas saj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) e trajtojnë Kuvendit, përgjegjësit dhe detyrat kushtetuese.
Në reagimin e saj, Çitaku ka deklaruar edhe se papërgjegjësia e deputetëve të LV-së, shfaqet çdo ditë, dhe, jo vetëm “përmes mungesës së vullnetit për marrëveshje politike”, por edhe “përmes vonesave të vazhdueshme në fillimin e seancave parlamentare”.
“Për deputetët e LV-së, kjo është bërë normë. Sinqerisht, për turp”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Postimi i plotë i Çitakut:
Shpërfillja me të cilën deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e trajtojnë Kuvendin, detyrat kushtetuese dhe përgjegjësitë ndaj qytetarëve është e frikshme.
Kjo papërgjegjësi po shfaqet çdo ditë, jo vetëm përmes mungesës së vullnetit për marrëveshje politike që do ta nxirrte vendin nga ngërçi institucional, por edhe përmes vonesave të vazhdueshme në fillimin e seancave parlamentare. Nuk mbahet mend kur një seancë e Kuvendit ka filluar në kohën e caktuar!
Imagjinoni sikur policët, mjekët, mësuesit, zjarrfikësit apo ushtarët të vonoheshin 40 minuta në vendin e tyre të punës. Do të konsiderohej skandaloze, dhe me të drejtë.
Për deputetët e LV-së, kjo është bërë normë. Sinqerisht, për turp.