Çitaku i reagon Kurtit për ‘anashkalimin’ e ambasadorit në Vatikan: Katrahurë, joseriozitet dhe turp
Një pjesëmarrje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në një koncert në Selinë e Shenjtë, ka zgjuar reagimin e diplomatit kosovar në Vatikan, Vehbi Miftari, i cili përmes një komenti në “Facebook” ka bërë me dije se është anashkaluar.
Ndaj këtij “anashkalimi” ka reaguar sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e ka quajtur këtë veprim të Kurtit “katrahurë, joseriozitet dhe turp”.
“Çfarë katrahure, çfarë jo serioziteti, çfarë turpi. Në një organizim në Vatikan, anashkalohet dhe përbuzet Ambasadori i Kosovës në Selinë e Shenjtë. Ky anashkalim i misionit diplomatik është në kundërshtim me çdo praktikë shtetërore dhe protokolare. Ndërkohë, Martin Berishaj, me afera korruptive multimilionëshe, mbetet i përkdheluri i Kurtit. Ai, jo vetëm që vazhdon të jetë ambasador fuqiplotë, por shihet përkrah liderit suprem kudo. Martini, njëjtë si Rozeta, Nagipi dhe të tjerët, vazhdojnë të kenë mbrojtjen e pakushtëzuar të Kurtit. A thua pse?”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.



