
Çitaku: Kalimi i Adelina Graincës në Vetëvendosje gjest i ulët, sinjal që PDK duhet të nis reformat
Vlora Çitaku e ka vlerësuar kalimin e deputetetes së PDK-së, Adelina Graincës në Vetëvendosje si veprim të ulët.
Ajo ka thënë se PDK-ja duhet të marr mësim nga ky rast dhe të nis reformat në parti.
Postimi i plotë i Çitakut:
Me ndërru mendjen, qëndrimin dhe pozicionimin politik në demokraci është normale.
Herë ndryshojnë rrethanat, e herë ndryshojmë vet. Ama, me ndryshu tabore politike brenda orës, pa asnjë arsye të artikuluar, është as më shumë e as më pak se mungesë elementare e vetëdijes politike. Është reduktim i politikës në pazar.
Deputetja Grainca nuk kaloi në VV sepse donte që Kosova me çdo kusht të shmangte zgjedhjet e parakohshme, sepse zonja Grainca hyri në sallë në raundin e dytë, dhe vota e sajë ishte e panevojshme; as pse kishte shprehur ndonjë paknaqësi ne grupin e sajë parlamentar lidhur me orientimet politike të PDK-së.
Motivin e din më së miri ajo vet, por aman mos na e veshni oportunizmin politik me interes për Kosovën e sakrificë.
Poashtu, shpresoj që Partia Demokratike e Kosovës të marrë mësim. Të nisë procesin e reformave. Opozita është gjithmonë e rëndësishme, e posaçërisht tani.