
Çitaku: Kosova është më e madhe se egoja e Kurtit dhe ambicia e Haxhiut
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e Vetëvendosjes në raport me krizën politike në vend.
Ajo ka thënë se Kosova është me e madhe se egoja e Albin Kurtit dhe ambicia e Albulena Haxhiut për t’u bërë kryetare me çdo kusht edhe pse nuk i ka votat.
“Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambicia e Albulena Haxhiut”, ka thënë ajo.
Çitaku ka theksuar se PDK-ja nuk i ka ikur asnjë takimi dhe ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, por sipas saj, koha e fjalëve ka kaluar.
“Nëse Kurti vazhdon ta përdorë kryeneçësinë si instrument politik, takimet janë të kota. LV-ja nuk ofron zgjidhje, por nënshtrim dhe PDK-ja nuk do t’i nënshtrohet liderit suprem. PDK-ja asnjëherë nuk iu ka ikur takimeve, gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet. Por, fatkeqësisht tashmë ka kaluar koha e fjalëve, është koha e veprimeve. Ne mund të takohemi pafundësisht mirëpo nëse Kurti diktatin dhe kryeneçësinë vazhdon ta shndërrojë në instrument politik, atëherë takimi është i kotë. Ne nuk i kemi ikur asnjë lloj takimi. Është për keqardhje mënyra sesi po e trajtojnë Kuvendin e Kosovës. LV- nuk e ka ofruar asnjë zgjidhje, ata kanë ofruar nënshtrim dhe PDK nuk i nënshtrohet diktatit të liderit suprem”, ka thënë Çitaku.