
Çitaku, Kurtit: S’ke lënë askënd pa fyer e përbuzur, sot po thua se u helmua atmosfera
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të Kurtit në Londër, i cili ka paralajmëruar se ndoshta nuk mund ta bëjë qeverinë, meqenëse sipas tij, është “helmuar” atmosfera e se ka shumë xhelozi e inati.
Çitaku ka thënë se ishte pikërisht Kurti, njeriu që nuk la pa fyer e përbuzur askënd, pa asnjë kod.
“Kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje. Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit. Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën. E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë. Jo A.K. Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por, ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.