Çitaku: Mosdalja e rreth 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje, abuzim me resurset shtetërore dhe krijim të krizave të vazhdueshme, duke thënë se rezultati politik i kësaj qeverisjeje u reflektua në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhje.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se mosdalja e rreth 200 mijë votuesve përbën, sipas saj, “protestë zgjedhore” dhe tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar ndaj pushtetit aktual.
“Qeveria e Kurtit prodhoi zhgënjim të madh qytetar dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë zgjedhore, sepse mosdalja e rreth 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”, deklaroi Çitaku.
Ajo shtoi se gara zgjedhore ka qenë e pabarabartë, duke e akuzuar pushtetin për përdorim të parasë publike dhe resurseve shtetërore në funksion të përfitimit elektoral. Sipas Çitakut, pa këto veprime, kryeministri Albin Kurti do të pësonte “fiasko edhe më të thellë politike”.
Çitaku kujtoi shpërndarjen e qindra miliona eurove, premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, shpenzime për bileta të diasporës dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore.
“Gara ishte e pabarabartë dhe, sikur të mos bënte blerje të votës përmes qindra miliona eurove të shpërndara, me premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, me miliona euro për bileta për diasporën dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte fiasko edhe më të thellë politike”, tha ajo.
Megjithatë, nënkryetarja e PDK-së tha se, pavarësisht kushteve që ajo i cilësoi si të pabarabarta, Partia Demokratike e Kosovës ka rikonfirmuar pozicionin e saj politik dhe përfaqësues, si në përqindje ashtu edhe në numër të deputetëve.
“Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore, PDK-ja e rikonfirmoi pozicionin e saj përfaqësues me përqindje dhe me numër të deputetëve”, u shpreh Çitaku.



