Vlora Çitaku: Qeveria e suspendon politikën e jashtme
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se Qeveria aktuale e ka suspenduar politikën e jashtme.
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, ka shkruar në faqen e saj në “Facebook” se nga hëna, shumica e ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar, pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë.
Ajo e ka quajtur këtë suspendim të politikës së jashtme papërgjegjësi të presidentes e kryeministrit ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir.
“Nga sot, shumica e ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar. Pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është papërgjegjësi totale ndaj shtetit. Kjo është suspendim i politikës së jashtme. Qeveria dhe Presidenca kanë pasur mjaftueshëm kohë që të përzgjedhin Ambasadorët. Nuk ka asnjë arsyetim. Papërgjegjësi ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir. Në diplomaci, nëse e tërheqë shefin e misionit, pa dërguar emrin e pasuesit, një shtet dërgon mesazh”, ka shkruar Çitaku.



