
Çitaku uron ShBA-në për 4 Korrikun: Amerika është e mirë sepse amerikanët janë të tillë
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ndarë një mesazh emocional me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përshkruar përvojën e saj personale dhe vlerësimin për mirësinë e popullit amerikan.
“Amerika nuk është vetëm e madhe. As vetëm e fuqishme apo e pasur. Amerika është e mirë sepse amerikanët janë të tillë”, ka shkruar Çitaku, duke rikujtuar kohën kur ka jetuar për shtatë vite në ShBA dhe mirësinë që e ka përjetuar çdo ditë.
Ajo ndau edhe një moment të veçantë të përjetuar një ditë më parë me nipërit e saj, Arbërin dhe Diellin, gjatë një dreke familjare në një piceri ku ndodhej edhe një grup ushtarësh amerikanë.
“Nipat i përshëndesin dhe i falënderojnë për shërbimin. Njëri prej tyre, ushtar nga Teksasi, vendos t’i falënderojë ata: duke u vizatuar një karikaturë si kujtim”, tregoi Çitaku.
Në fund të postimit, ajo shpreh falënderim me fjalët: “Thank you!Për mirësinë, për sakrificën, për shpresën që përçoni”, shkroi Çitaku.