Çitaku: Veprimi i konsullit nuk është rastësi, pasqyron mentalitetin e instaluar në qeverisje

12 janar 2026 | 18:48

Një “like” në Facebook ka vënë në qendër të kritikave konsullin Gëzim Gashi, i cili miratoi një shkrim ofendues ndaj Hashim Thaçit. Ndërsa konsullata u shfajësua duke thënë se veprimi ishte i paqëllimshëm, opozita e sheh ndryshe. Vlora Çitaku deklaroi se ky gjest tregon mentalitetin e qeverisë kundër figurave shtetformuese dhe kërkoi largimin e tij nga diplomacia.

Nënkryetarja e kësaj partie Vlora Çitaku, tha se veprimi i tij “nuk është rastësi dhe as qëndrim individual”, por “pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje”.

“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje, ku sulmi ndaj figurave të historisë shtetformuese është kthyer në mjet politik.” – tha Çitaku.

Veprime të tilla ajo i cilësoi si “dëmtim të drejtpërdrejtë të imazhit dhe interesit shtetëror.

“Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësisnë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, është dëmtim i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror. Aq më tepër kur kjo ndodh ndërkohë që ai prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë për Kosovën, jo për veten. – shtoi ajo.

Çitaku kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të konsullit: “Për këto arsye, ky konsull nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në emër të dinjitetit shtetëror dhe interesit publik, duhet të ndodhë shkarkimi i tij i menjëhershëm. Kosova meriton përfaqësim dinjitoz, profesional dhe unifikues në ambasadat dhe konsullatat e saj, kudo në botë.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menjëherë pas njoftimit për largimin e Xabi Alonsos, Real Madridi…