Clark flet për “ekzagjerimet” për UÇK-në
Clark u pyet nga avokati i Jakup Krasniqit për deklaratat e bëra nga ai në kohën e luftës, kur kishte lavdëruar UÇK-në dhe kishte folur për kapacitetet e saj.
Clark e pranoi se ka ekzagjeruar kapacitetet e UÇK-së, duke thënë se “komentet kishin për shënjestër Millosheviqin dhe doja të projektoja këtë forcë dhe të nxitonte që ai të dorëzohej”.
Ai tha se e dinte që Millosheviqi e dëgjonte me vëmendje atë.
“Natën e bombardimeve të para, gjeneralët e tij i thanë se janë goditur nga avionë të shumtë të NATO-s. Më pas mu desh të mbaja një konferencë për shtyp dhe të thosha se kishin ndodhur disa humbje. Po i thosha qartë në mesazhin tim se ne po fitojmë dhe ju po humbisni”, tha ai.
Clark tha se situata e paraqitur prej tij ishte një situatë që e ngrite më lartë UÇK-në.
Ai përsëriti që UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar, duke shtuar se ishte dëshira e tij që ajo të ishte një organizatë funksionale, por ky vlerësim “nuk mbështetej në kapacitetet e UÇK-së”.



