Çlirimtarët në qeli, kolaboracionistët në zyra qeveritare e partiake
Shkruan: Astrit Gashi
Ka popuj që lirinë e mbrojnë me zë, dhe ka të tjerë që e humbin me heshtje. Ka kombe që i nderojnë bijtë e sakrificës, dhe ka kombe që i burgosin idealet e tyre duke i lënë çlirimtarët në duart e padrejtësisë. Kosova sot po jeton këtë paradoks moral ata që i dhanë gjak lirisë janë në qeli, ndërsa ata që heshtën gjatë robërisë sot flasin në emër të saj.
Në nëntorët e lirisë, kur kujtesa e luftës duhet të frymëzojë brezat, ne shënojmë vitin e pestë të një procesi që e ka turpëruar vetë drejtësinë ndërkombëtare: gjykimin politik ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Një proces që nuk synon të zbardhë të vërtetën, por ta rishkruajë atë. Nuk kërkon drejtësi, por barazi morale midis çlirimtarit dhe pushtuesit. Një proces që synon të bëjë të harruar luftën çlirimtare, duke e shndërruar heroin në të dyshuar dhe çlirimin në krim.
Kjo aktakuzë, e hartuar nga Jack Smith dhe një rreth shërbëtorësh të interesave antishqiptare, është bërë simbol i hipokrizisë perëndimore dhe i tradhtisë morale ndaj një populli që besoi në idealin euro-atlantik. Akuzat për trafikim organesh baza mbi të cilën u ngrit narrativa për “krimet e UÇK-së” nuk ekzistojnë as në një rresht të vetëm të aktakuzës zyrtare. Edhe raporti famëkeq i Dick Marty-t, që u përdor si pretekst për ngritjen e kësaj gjykate, është sot i diskredituar. Ironikisht, strukturat që e sponsorizuan atë janë përjashtuar nga Këshilli i Europës për lidhje me Rusinë. Një raport i lindur nga propaganda sllave vazhdon të prodhojë pasoja perëndimore një absurditet që vetëm një drejtësi e kapur mund ta lejojë.
Por ndërsa gënjeshtra është rrëzuar, padrejtësia qëndron. Gjykata e Hagës, e ngritur në emër të ligjeve të Kosovës, nuk i përgjigjet asnjë institucioni të saj. Ajo funksionon si një pushtet paralel një instrument që vepron mbi shtetin e Kosovës, jo brenda tij. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës, i mpirë prej një viti në apatinë e vet politike, hesht. Pozita dhe opozita, në vend që të bashkohen përballë një padrejtësie historike, merren me retorikë boshe. Patriotizmi i tyre fillon në fjalime dhe mbaron në studio televizive.
Paradoksi më i madh mbetet tek ata që e krijuan këtë gjykatë me duart e tyre. Politikanë dhe analistë që dikur kërkonin ngritjen e “Dhomave të Specializuara”, sot bëjnë vizita rutinë në Hagë, jo për t’u solidarizuar me të burgosurit, por për të ushqyer narrativën e fajësisë. Nën maskën e “kujdesit njerëzor”, ata janë bërë ambasadorë të padrejtësisë.
As shoqatat e dala nga lufta nuk e kanë përmbushur misionin që u takon. Protestat e tyre të rralla, të fragmentuara dhe pa platformë, janë kthyer në shfaqje emocionale pa strategji. Lufta për dinjitet nuk fitohet me ndjenja, por me veprim. Ajo kërkon një organizim të përditshëm qytetar para Kuvendit, Qeverisë dhe selisë së EULEX-it, mision që tashmë ka humbur çdo mandat moral dhe ligjor në Kosovë.
Ky proces i montuar nuk financohet nga Serbia, por nga vetë taksapaguesit evropianë. Është koha që aktivistët shqiptarë në diasporë të ngrejnë zërin në parlamentet ku jetojnë, për të denoncuar këtë abuzim me paratë publike dhe me moralin demokratik të Europës. Ironikisht, prokurori që ngriti aktakuzën është nën hetim për lidhje me qarqe antievropiane një fakt që shpalos kalbëzimin moral të një drejtësie që pretendon të jetë e pastër.
Pas dështimit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me kontroll politik. Këto struktura nuk sollën barazi, por varësi nuk ndërtuan institucione, por ndërhyrje; nuk mbrojtën viktimat, por rehabilituan kriminelët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre në institucionet e sigurisë dhe administratës.
Por përgjegjësia nuk mbaron me ta. Edhe të ndaluarit në Hagë të cilët kanë pranuar vizitorë që dikur kontribuan në ngritjen e kësaj gjykate. Ky është gabimi më i rëndë moral t’i hapësh derën armikut të veshur me buzëqeshje.
Në këtë kapitull të dhimbshëm të historisë sonë, idealistët e vërtetë të luftës ata që besuan se çlirimi ishte premtim moral dhe jo kapital politik sot e shohin veten të tradhtuar. Dhe në këtë heshtje kolektive, një pyetje e vetme mbetet pezull, më e rëndë se çdo aktakuzë:
A e meriton ky popull lirinë, kur hesht ndërsa gjykohet vetë lufta e tij çlirimtare?



