
Club Brugge i jep lamtumirën Jasharit: Një vit me kujtime të panumërta, faleminderit për gjithçka, Ardon
Pas një viti të suksesshëm me fanellën e Club Brugge, Ardon Jashari i është bashkuar zyrtarisht Milanit, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike. Lajmi u konfirmua sot, ndërsa talenti i ri shqiptar publikoi një mesazh prekës në profilin e tij në Instagram për të përshëndetur klubin belg dhe tifozët e tij.
“Në këto muaj të fundit është shkruar dhe thënë shumë, por ajo që dua të them është e thjeshtë: Faleminderit. Faleminderit Club Brugge, tifozëve, shokëve të skuadrës, drejtuesve, qytetit të bukur të Brukselit dhe çdo personi që më besoi për të dhënë më të mirën time”, shkruan Jashari.
“Gjatë këtij viti kam dhënë gjithçka për fanellën Blauw-Zwart. Kam fituar çmime individuale, por asgjë nuk krahasohet me ato që arritëm së bashku. Ngritja e Kupës në Bruksel si një skuadër, si një klub, ishte momenti më i veçantë. Fitorja në derbi është një tjetër kujtim që do ta mbaj gjithmonë në zemër. Javët e fundit kanë qenë intensive për të gjithë, por unë largohem me vetëm mirënjohje. Tani është koha për të bërë hapin tjetër në karrierën time. Me dashuri, Ardon.”
Ndërkaq, nga ana e klubit belg u publikua një mesazh përshëndetës për Jasharin: “Një vit. Kujtime të panumërta. Faleminderit për gjithçka, Ardon.” Ai ishte lojtari më i mirë dhe talenti më premtues i kampionatit belg për sezonin e kaluar.
Ardon Jashari ka firmosur një kontratë me Milanin deri në vitin 2030, dhe ashtu si në Belgjikë, edhe në Itali do të mbajë fanellën me numrin 30.