Cluj e shet Emërllahun te Polissya
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu do të jetë largimi i parë nga skuadra e Clujit në afatin kalimtar të dimrit.
Në fakt, është thënë se Cluj tashmë ka arritur marrëveshje për shitjen e Emërllahut, i cili është pajtuar të transferohet në kampionatin e Ukrainës.
Sipas medieve në Rumani, Emërllahu do të transferohet te Polissya Zhytomyr, ekip që ka pranuar ti paguajë Clujit 1.5 milion euro për kartonin e mesfushorit 23-vjeçar.
Krahas shumës prej 1.5 milion eurosh, Cluji do t’i ketë edhe 10 për qind nga shitja e ardhshme e Emërllahut, i cili iu bashkua klubit rumun në fillim të këtij viti. Plissya Zhytomyr është në pozitën e tretë në Ukrainë dhe po e sheh Emërllahun si përforcim të rëndësishëm për mesfushën, duke pasur parasysh se këtë sezon ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 2 asistime në 23 paraqitje për Clujin. Emërllahu ka kontratë deri në vitin 2028 me Clujin, ekip që e transferoi nga Ballkani i Suharekës.
Gjithashtu, Emërllahu ka edhe 12 paraqitje dhe 1 gol të shënuar me fanellën e Kombëtares së Kosovës.



