
Çmimet e importit në Kosovë shënojnë ngritje 3.4 për qind
Çmimet e importit në Kosovë kanë shënuar ngritje 3.4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin paraprak të këtij viti.
Sipas raportit më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e dytë, ngritjet më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin tek instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (12.8 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (11.7 për qind); vajrat ushqyese (10.0 për qind); produktet minerale (8.1 për qind) etj.
ASK-ja ka theksuar se ngritja është neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te letra dhe artikujt e saj 2.4 për qind, lëkura dhe artikujt e saj 1 për qind, tekstili dhe artikujt e tekstilit 0.5 për qind, këpucët 0.3 për qind dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar 0.2 për qind.
“Çmimet e importit në Kosovë patën ngritje në një mesatare prej 7.7 për qind ndërmjet tremujorit të dytë 2021 dhe të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ngritjet më të mëdha ishin te produktet minerale (22.6 për qind); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (19.3 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (14.6 për qind); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (14.4 për qind); vajrat ushqyese (10.0 për qind), etj. Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te tekstili dhe artikujt e tekstilit 6.2 për qind, letra dhe artikujt e saj 5.1 për qind, dhe këpucët 1.9 për qind”, ka njoftuar ASK-ja.