
Çmimet e konsumit shënuan rritje në muajin gusht
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2020, viti bazë 2015=100.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.1 për qind në muajin gusht 2020.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.1 për qind në muajin gusht 2020, krahasuar me muajin korrik 2020.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5 për qind); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.6 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.5 për qind)-(ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.
Ndërsa sa i përket rënies së çmimeve, vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-2.5 për qind); perime (-1.8 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.1) për qind në IHÇK. “Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2020 me muajin gusht 2019 ishte (-0.5 për qind). Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.5 për qind) në muajin gusht 2020, krahasuar me muajin gusht 2019.
Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-3.2 për qind); perime (-3.7 për qind); pije alkoolike (-1.2 për qind); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.1 për qind)-(rënie e çmimeve të drunjve për ngrohje), enë qelqi, takëme dhe enë shtëpiake (-3.1 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-14.0 për qind)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informatave (-1.4 për qind); pushime të organizuara (-5.6 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.6 për qind) në IHÇK”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6 për qind); mish (1.0 për qind); pemë (3.9 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4.1 për qind); kafe, çaj dhe kakao (2.1 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.7 për qind); duhan (2.2 për qind); produkte mjekësore aparaturë dhe pajisje (4.8 për qind); shërbime ambulatore (5.5 për qind); blerje e automjeteve (0.8 për qind); shërbime hoteliere (2.4 për qind); sigurime (19.7 për qind)-(ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK.
(A.M/ Epoka e re)