
“Çmimet e librave të mos rëndojnë xhepin e prindërve” – Inspektorati: Do të ketë masa ndaj botuesve dhe shpërndarësve që shkelin ligjin
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se ka intensifikuar inspektimet në të gjithë territorin e vendit për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe për të monitoruar çmimet e teksteve shkollore.
Në njoftimin e lëshuar nga Ministria thuhet se deri tani ka inspektuar mbi 30 operatorë ekonomik të ndryshëm të cilët ushtrojnë këtë veprimtari dhe në të gjitha rastet ku janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, inspektorët e tregut kanë marrë masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi, shkruan Reporteri.net.
“Me qëllim të respektimit të të Drejtave të Autorit Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdoj edhe ditëve në vijim që të realizojë kontrolle të rrepta ndaj shtëpive botuese dhe shpërndarësve për të siguruar që qarkullimi në treg i teksteve shkollore është në përputhje me legjislacionin në fuqi mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta”, thuhet në njoftim.
Inspektorati ka paralajmëruar se do të vazhdojë edhe ditëve në vijim që në mënyrë rigoroze të monitorojë çmimet e teksteve shkollore në të gjithë tregun, me qëllim sigurimin që ato të jenë të arsyeshme dhe të përputhshme me rregullat e konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut i bën thirrje të gjithë akterëve të përfshirë, përfshirë shtëpitë botuese dhe autorët, të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente për të siguruar një treg të drejtë dhe transparent, duke respektuar të drejtat e autorëve dhe duke siguruar çmime të arsyeshme për tekstet shkollore. Për çdo informacion shtesë ose denoncim, qytetarët mund të kontaktojnë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut përmes kanaleve tona të komunikimit: Duke telefonuar në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mailit zyrtar, Email: [email protected]”, thuhet në njoftim.