
“Çmimet rriten shtatë muaj rresht në Kosovë” – Ekonomistët: Inflacioni nuk po vjen nga jashtë, por po krijohet brenda tregut vendor
Pas një 2024 relativisht të qetë, çmimet në Kosovë i janë rikthyer trajektores negative përgjatë shtatë muajve të parë të 2025-ës. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor arriti 4,3 për qind në korrik, i njëjti ritëm si në qershor, ndërsa nga muaji në muaj çmimet u rritën edhe 0,2 për qind në korrik.
Ritmi i përshpejtimit nisi që nga fillimi i vitit: 1,5 për qind në janar, 1,7 për qind në shkurt, 2,9 për qind në mars, 3,0 për qind në prill, 3,6 për qind në maj dhe 4,3 për qind në qershor e korrik.
Indeksi i përgjithshëm (IHÇK 2015=100) u ngjit nga 132,2 në janar në 135,5 në korrik — rreth 3,3 për qind më lart se në fund të 2024-ës. Kjo erdhi si pasojë e shtatë muaj radhazi të rritjes mujore.
Çka po e shtyn rritjen?
Ushqimi dhe pijet joalkoolike janë motori kryesor: +9,2 për qind vjetore në korrik. Brenda kësaj, “kafe, çaj dhe kakao” ka shënuar rritje të dyshifërt të qëndrueshme (+16,9 për qind korrik), ashtu si mishi (+12,7 për qind), pemët (+12,3 për qind) dhe perimet (+10,7 për qind). Me peshë më të lartën në shportë, kjo kategori ka dhënë pjesën luanit në total.
Rryma: pasi luhatej në fillim të vitit, energjia elektrike shkoi në +16,6 për qind vjetore në korrik (pas +17,8 për qind në qershor), duke shtuar ndjeshëm koston e jetesës.
Shërbimet: shërbimet hoteliere u rritën 7,9 për qind vjetore në korrik, ndërsa pushimet e organizuara kapën +20,9 për qind vjetore (dhe +11,8 për qind nga muaji në muaj), duke reflektuar sezonin turistik dhe kostot më të larta në sektorin e shërbimeve.
Valë e re?
Kosova kaloi një valë të paparedentë inflacioniste në 2022 (mesatarja vjetore 11,6 për qind), e cila ra në 4,9 për qind në 2023 dhe 1,6 për qind në 2024.
2025-a ka shënuar rikthim të presioneve, ndonëse ende larg nivelit të 2022-s, kur pikërisht në muajin korrik të atij viti, inflacioni kishte arritur në 16 për qind.
Këtë herë, sipas të dhënave, rritja po ushqehet nga ushqimet e importuara (sidomos kafe/kakao) dhe rryma, ndërsa transporti po e zbut pjesërisht.
Ekonomistët kanë ngritur alarmin se bëhet fjalë për një inflacion që nuk vjen më nga jashtë, por që ushqehet brenda vetë strukturës së tregut vendor.
Që nga viti 2021, inflacioni në Kosovë ka ndjekur një trajektore rritëse eksponenciale, duke arritur kulmin me një normë vjetore prej 11.58 për qind në vitin 2022.
Ndërsa çmimet e produteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.
Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.
Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”