Conte: COVID-i, kriza më e vështirë pas Luftës së Dytë Botërore

22 mars 2020 | 09:07

Kryeministri italian Giuseppe Conte me anë të një video-mesazhi ka informuar se ka urdhëruar masa të reja më të rrepta për ta ndalur përhapjen e frikshme që po merr pandemia COVID-19 në Itali.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 793 viktima duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 4 085 e në 53 578 të infektuar.

Kryeminsitri Conte ka informuar se qeveria ka vendosur të mbyllë çdo aktivitet prodhues, çdo fabrikë e uzinë, kantier me përjashtim të atyre që janë të domosdoshme për shtetin e për garancinë jetike të qytetarëve.

“Kjo është kriza më e vështirë që po jeton vendi që pas Luftës së Dytë Botërore. Në këto ditë të vështira jemi përballur me lajme e imazhe që na plagosin e që do lejnë shenjë në kujtesën tonë dhe kur e gjitha kjo, dhe e urojmë të ndodh sa më shpejt, të marr fund. Vdekja e shumë qytetarëve tanë është një dhimbje që rinovohet çdo ditë. Këto vdekje nuk janë thjesht numra, por po qajmë histori familjesh që humbin të dashurit e tyre, Duhet të vazhdojmë të respektojmë rregullat me durim, me përgjegjësi e besim. Janë masa të rrepta e kam të qartë por nuk kemi alternativë tjetër. Në këtë moment duhet të rezistojmë, pasi vetëm kështu mund të mbrojmë veten e personat që i duam. Sakrifica jonë e qëndrimit në shtëpi është minimale e pakrahasueshme me sakrificën e qytetarëve të tjerë që punojnë në spitale. o në vende kyçe për vendin e që rrezikojnë shumë si mjekët e infermierët, forcat ushtarake, forcat e rendit, farmacistët, njerëzit e mbrojtjes civile, shitëset në supermerkata. punonjësit e shërbimit publikë e ato të informacionit, burra e gra që jo vetëm punojnë por që çdo ditë kryejnë një akt përgjegjësie të madhe ndaj një kombi të tërë, një akt dashurie ndaj Italisë”, tha Conte.

Kreu i ekzekutivit italian informoi se pas konsultimeve të kryera me grupet sindikaliste, me përfaqësues të kategorive të ndryshme profesioniste, qeveria vendosi të marrë një hap të ri, ta mbyllë në të gjithë territorin kombëtar çdo aktivitet prodhues që nuk është i domosdoshëm, thelbësor dhe i nevojshëm për garantimin e të mirave e shërbimeve esenciale.

Kryeministri italian informoi se pas konsulencës me grupet e kategorive profesioniste e ato sindikaliste ka hartuar një listë të detajuar të shoqërive prodhuese me aktivitet të nevojshmërisë publike e më të domosdoshmet për funksionimin e shtetit në këtë fazë të emergjencës.

Kryeministri italian ka garantuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë hapur të gjithë supermerkatet e nuk ka masa shtrënguese në oraret e tyre të mbylljes. Conte ftoi qytetarët të mos krijojnë radha të kota pasi supermerkatet nuk do të reduktohen në oraret e punës e as nuk do të mbyllen si dhe të gjitha dyqanet ushqimore.

“Nuk ka arsye të krijoni radhë apo të bëni blerje sa më shumë”, këshilloi Conte.

Gjithashtu, do të vazhdojnë të jenë të hapura farmacitë e të garantohen shërbimet bankare, postale, sigurimet e transporti publik.

Qeveria italiane do të lejojë vetëm zhvillimin e punës në mënyrë smart working për ato profesione e aktivitete që e lejojnë.

“Do ta ngadalësojmë motorin prodhues të vendit, por nuk do ta ndalim.

Është një vendim jo i lehtë, por që na lejojnë të përballojmë fazën më akute të infektimit. Është një vendim i nevojshëm sot për ta ndaluar përhapjen e pandemisë. Emergjenca sanitare po ndiqet nga një emergjencë ekonomike. Por shteti është këtu”, garantoi numri një i qeverisë italiane. Oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bazë të të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri…